Sebastian Zonja

Përflitet Ilir Meta si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Sigurimi i Shtetit, me rënien e komunizmit, u nda në tre pjesë. Njëra mbeti në punë, sepse shteti do vijonte punën, ndaj Sigurimi u transformua në SHIK. Bënë punën që duhej të bënin e që kishin bërë prej kohësh.

Pjesa tjetër u pleks me grupe kriminale. Ka studime për këtë. Në Shqipëri nuk kemi bërë studime, por ka për Poloninë, Rusinë dhe Rumaninë. Duke qenë se diktaturat funksionojnë njësoj, edhe rënia ka qenë thuajse e ngjashme. Për shembull, një gazetar britanik tregon se si u themelua mafia ruse Vor nga KGB-ja dhe se si ky shërbim dërgoi me punë shumë kriminelë në Perendim, duke filluar nga viti 1985. E njëjta gjë ka ndodhur në Poloni dhe Rumani.

Në Shqipëri, ka dyshime se grupet e para kriminale kanë thuajse të gjithë nga një fije agjenturore në mes. Dyshimet në Tiranë janë për grupin e Gaz Muçës, akuzat nëpër media për Hakmarrjen për Drejtësi, akuzat e Sali Berishës për klanin e Zemunit e shumë të tjera.
Pra, po t’i mbledhësh deklaratat e krerëve të politikës shqiptare e kupton se ka një lojë agjenturore brenda grupeve kriminale në vend.

Lexo po ashtu:  Opinion i DW: CDU-ja e Angela Merkelit në udhëkryq

Nuk ka një studim shterues për këtë punë veç artikujve dhe intervistave që mund të mbledhësh nga njerëz që e njohin fushën.
Pjesa tjetër e punonjësve të Sigurimit, ajo më e madhja, vijoi jetën në demokraci me hallet dhe problemet që solli tranzicioni. Herë me punë e herë pa punë.
Së fundmi, për hir të së vërtetës, ka pasur edhe disa botime memuaristike dhe studimore për këto çështje, por veçse e gërricin sipërfaqen. Bujar Sh. Hoxha ka disa libra interesant për këtë temë.

Për të mos e humbur fillin e të hyjmë në konspiracione të kota, duhet thënë se politika e kontrollon shërbimin inteligjent, jo e anasjellta. Ëndërrat se CIA kontrollon Shtëpinë e Bardhë, Sigurimi Byronë Politike dhe SHIK-u politikën janë paksa haluçinante dhe i përkasin më së shumti konspiracionistëve.

Ndërkohë, me ardhjen e pluralizmit, një pjesë i hynë edhe politikës në Shqipëri. Një pjesë biznesit. Duke qenë se kishin qenë jashtë, kishin informacion më të mirë se 90 % e qytetarëve dhe i paraprinë ndryshimeve në kapitalizëm. Ata që i hynë politikës, ranë pre e diskutimeve të forta se kush ka qenë bashkëpunëtor e kush jo. Politika të nxjerr në rresht të parë, ndaj nuk është e lehtë të mbash sekrete për një kohë të gjatë. Shqipëria është vend i vogël dhe të gjithë e njohim njeri – tjetrin.

Lexo po ashtu:  Prapaskena/ Ç’fiton Elon Musk nga rreshtimi pro Trump-it - mbreti i dezinformimit

Ndërkaq, kjo thagmë në këtë verë të nxehtë, na sjell në vëmendje katër probleme kardinale të tranzicionit politik shqiptar:
– Kush i përdor dosjet politikisht?

– Cila është pesha e fajit të bashkëpunëtorit përball asaj të titullarëve të institucionit?

– Meta bashkëpunëtor, Berisha sekretar partie, Rama familje në udhëheqjen komuniste. A s’ka pasur ky vend njerëz të ndershëm nga radhët e komunistëve apo të të përndjekurve politik?

– Sigurimi i Shteti ka gjurmuar edhe të ashtuquajturit agjentë të dyshuar të UDB-së apo të Greqisë. Pse nuk flet kush për to?

Marrëveshja Berisha – Rama në vitin 2008 për ndryshimet kushtetuese, praktikisht e ktheu vendin edhe një herë në vitin 1989.

Demokracia ka rënë thelb të saj llogaridhënien. Me sistemin e ri ne zgjedhim veç deputetët, të cilët po ashtu i cakton Partia dhe lideri i saj i lavdishëm. Gjithë të tjerët, në arsim, administratë, bord… janë të emëruar. Pra, shqiptarët kanë në dorë çelësat e kashtës.
Sistemi është mbyllur dhe do të jap probleme shumë më të mëdha nëse nuk ndërhyhet. Këto janë veçse simptomat. Teza që ka hedhur Meta, e thënë më herët nga Basha dhe e përsëritur nga Nisma Thurje për referendumet është një zgjidhje e mirë për të dalë nga situata.
Në Shqipëri, ashensori i meritokracisë, premisa kryesore mbi të cilën ngrihet një rend politik dinjitoz, nuk punon. Kryetarët e partive dhe deputetët e kanë përdorur për interesa nepotike vetjake gjithnjë.
Kryetarët e partive kanë caktuar me emërim cilindo kanë dashur, duke nisur nga deputetët e deri te sanitaret.

Lexo po ashtu:  Pse kërkesa e paktit për mos-sulmim është gjetje brilante?

Gjasat që ndonjë gjë të ndryshojë shpejt janë të largëta, sepse jetojmë në një vend ku përçmohet i varfri, jo varfëria. Përçmohet bashkëpunëtori përpara atij që e detyroi të bashkëpunojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *