Nga Enver Robelli

Bujar Osmani është Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Ai e ushtron këtë funksion si përfaqësues i një partie shqiptare, pra BDI-së. Por kur e shikon deklaratën e tij mbi tensionet e fundit në veri të Kosovës, fitohet përshtypja se Bujar Osmani është ministër i Sllovakisë apo Qipros, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Po e ndjekim situatën në Kosovën veriore me interes të madh”, shkruan Osmani në profilin e tij në Twitter. Pastaj vazhdon: “…përshëndesim deeskalimin e fundit. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që në përputhje me synimet dhe vlerat e mira fqinjësore dhe me mirëbesim t’i përmbahen asaj për çka janë pajtuar duke marrë parasysh kontekstin e ndjeshëm gjeopolitik”.

Deklarata e kryediplomatit të Shkupit tingëllon si e kopjuar nga prononcimet bajate të Josep Borrellit dhe Mirosllav Lajçakut ku faji u hidhet “të dyja palëve”. Deklarata e Osmanit i barazon palët, ndonëse dihet se kush është shkaktari i tensioneve në veri – është Serbia. Deklarata nuk i referohet fare sovranitetit të Kosovës, gjë që në kontekst të veriut është thelbësore.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët e Krahinës së Preshevës duhet të kenë vende të rezervuara për Parlament të Serbisë

Ekziston një vazhdimësi e sjelljes arrogante të Bujar Osmanit ndaj shtetit të Kosovës, siç tregojnë edhe dëshmitarë ndërkombëtarë. Për shembull: nuk ka ndodhur kurrë në historinë e re të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë që mes politikanëve shqiptare të mos ketë shkëmbime dhe përshëndetje në takime e forume ndërkombëtare. Këtë precedent e ka krijuar Bujar Osmani. (Po flas këtu për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, sepse Edi Rama është “rast tjetër”: ai mendon se mund t’i japë leksione Bullgarisë, ta akuzojë Millo Gjukanoviqin, të tallet me kryeministrin maqedonas dhe pa ia kërkuar askush të kërkojë mirëkuptim të Perëndimit për Serbinë e cila, sipas Edi Ramës, e ka vështirë të vendosë sanksione kundër Rusisë për shkak se Vlladimir Putini është i popullarizuar në Serbi. Putinin e ka bërë të popullarizuar në Serbi vetë Aleksandër Vuçiqi, por në këso tema të thella Edi Rama nuk futet).

Sjelljet skandaloze të Bujar Osmanit në raport me Kosovën do të ishte mirë të trajtoheshin me seriozitet dhe kritikë nga BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti. Ministrat shqiptarë në postet e tyre nuk duhet të harrojnë se aty janë edhe për shkak se janë shqiptarë, pra përfaqësojnë një trupë të caktuar elektorale, krahas lojalitetit të domosdoshëm ndaj shtetit maqedonas. Mbrojtja e shtetit të Kosovës është në interesin e Maqedonisë së Veriut dhe të shqiptarëve të atjeshëm.

Lexo po ashtu:  Të zgjohemi, kundër kësaj shpërngulje biblike!

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gëzojnë të drejta të avancuara edhe falë rolit historik që ka luajtur Kosova dhe sidomos Prishtina – si qendër universitare që me dekada ka përgatitur gati krejt kuadrin arsimor, kulturor, politik dhe ekonomik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ka qenë krejtësisht e vetëkuptueshme që shkollat fillore dhe gjimnazet e Kosovës të hapnin dyert në fund të viteve 80-të për mijëra nxënës shqiptarë nga Maqedonia që regjimi i atëhershëm në Shkup i dëboi nga sistemi shkollor. Dhe ka qenë e vetëkuptueshme që mijëra shqiptarë nga Maqedonia më 1999 të hapin dyert e zemrat për refugjatët nga Kosova. Atëbotë qindra shqiptarë nga Maqedonia luftonin për çlirimin e Kosovës. Dy vite më vonë përkrahja për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë erdhi sidomos nga Kosova. Politikanë e aktivistë politikë të Kosovës luajtën rol të rëndësishëm në bindjen e tre liderëve politikë shqiptarë të Maqedonisë (Arben Xhaferi, Ali Ahmeti dhe Imer Imeri) që në Prizren të nënshkruajnë një marrëveshje historike mbi të ardhmen e Maqedonisë dhe të shqiptarëve në këtë shtet.

Lexo po ashtu:  Nuk ka parti politike së cilës i është organizuar fushatë për njollosje më shumë se sa Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Harresa, sjellja arrogante, shmangia e Kosovës, siç ka nisur ta praktikojë Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, është një njollë mbi këtë trashëgimi politike që daton nga koha e Ibrahim Rugovës, kur ekzistonte këshilli koordinues i partive politike të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë (në fillim të viteve 90-të). Maqedonia dhe veçanërisht politikanët shqiptarë të atjeshëm nuk mund të sillen ndaj Kosovës si Sllovakia apo Qipro. Sepse nuk janë as sllovakë, as qipriotë, andaj s’kanë nevojë as t’i imitojnë për t’u dukur “europianë”. Sepse europian dhe proeuropian nuk të bën imitimi i banaliteteve, por qëndrimet e qarta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *