Gent Amzai
10 pika mbi shantazhin e SBASHK-ut ndaj funksioneve publike të shoqërisë dhe ndaj emrit të sindikalizmit
10 pika mbi shantazhin e SBASHK-ut ndaj funksioneve publike të shoqërisë dhe ndaj emrit të sindikalizmit
1. Sindikalizmi në funksionin publik duhet të jetë në përputhje me interesat shtetërorë, sepse është shtylla e paraparë, e kushtetuar dhe e legjitimuar e shtetit.
2. Greva pa përshkallëzim është shantazh i qartë, substanca e shantazhit është arbitrariteti i shifrës. Kjo grevë nisi me përjashtimin e nxënësve nga shkolla në ditën e parë të saj.
3. Trupa që përfaqësohet janë mësuesit. Mësuesit duhet të dinë më së pari se shkolla është publike, edukimi është publik dhe se profesioni i tyre është përpara pagës që e përvetësojnë privatisht. Mësuesi është mësues sepse mëson dhe jo sepse paguhet.
4. Funksionari publik duhet të mendohet mbi emergjencat publike dhe shtetërore. Mësuesi jo vetëm mëson fëmijën, por edukon qytetarin. Kësisoj, mësuesi nuk mund të mos marrë parasysh se Kosova ka para saj si shtet një kontinent dhe një rajon të pasigurtë, në kushtet e luftës së Ukrainës dhe në ndarjen e demokracive prej autokracive. Mësuesi duhet të shquajë se po jeton në një botë që ka përpara krizën më të lartë energjitike, një ekonomi botërore përpara një krize komplekse, një kërcënim të përhershëm prej katastrofave natyrore. Numri i 100 eurove që ai kërkon janë më së paku shenjë e egoizmit të verbër ose më së shumti, e shantazhit anti-shtetëror.
5. Përdorimi i fëmijëve në shantazhin e sindikatës ishte sulmi më i rëndë që sindikata i bën sindikalizmit dhe figurës së mësuesit. Sulmohet funksioni historik dhe gjeneza historike e sindikatës SBASHK-u. Sulmohet veprimtaria e sindikatës, sepse asaj do t’i duhet një ditë të pranojë kthimin e nxënësve në shkollë dhe në jetën e tyre. SBASHK-u nisi nga ekstremi te butësia.
6. Imagjinoni për pak sikur polici të kërcënojë se po nuk i dhanë 100 euro më shumë nuk do të mbrojë më rendin dhe nuk do të ndalojë dhunuesin dhe kriminelin. Imagjinoni sikur mjeku për 100 euro shtesë nuk pranon më pacientin në urgjencë dhe spital. Përmes sindikatës mësuesit po pranojnë se nuk janë më në funksionin e tyre dhe se shkolla është vendi i tyre, jo i nxënësve. Sindikata e arsimit, pikërisht ajo e arsimit, ajo që mëson, po iu tregon të gjithëve se edukimi, shëndetësia dhe rendi nuk janë funksion i të detyruarve publikë të shoqërisë, por angazhime private të ca njerëzve të paguar.
7. Përmes sindikatës mësuesi nuk po kupton se rritja e pagës bëhet në funksion të sistemit të pagave të shtresave përbërëse të shoqërisë, të nivelit ekonomik të shtetit ku këta mësues bëjnë pjesë, në bazë të një ligji dhe sipas shkallës së inflacionit. Kështu që, ata duhet ta marrin për fyerje të vetë dijes së tyre arbitraritetin e shifrës që propozon sindikata.
8. Dhe më e rënda… Mësuesi nuk mund të shkelë mbi të drejtën kushtetuese të edukimit, mbi të drejtat e njeriut, as nuk mund të abuzojë me të miturit në përpjekjen e tij për një shtesë financiare arbitrare në paga. Mësuesi nuk mund të ndërpresë edukimin E DETYRUAR, çka as gjendja nën pushtim nuk e ndërpreu dot.
9. Të paktën tre mësues janë vrarë gjatë apardeitit serb, sepse ushtronin funksionin e tyre si mësues. Le të shpresojmë që komuniteti i mësuesve të Kosovës do të ngrihet në atë nivel sa të ndjejë fajin e këtyre shkeljeve, përfshirë shkeljet e përmendura në pikën 8, si dhe abuzimet e pësuara prej krerëve të sindikatës.
10. Shoqëria demokratike dhe shërbimi publik shohin te mësuesi, mjeku dhe polici tre funksione të shëndetit publik. Nuk mund të shantazhohet nga kushtet e funksionit publik, shërbimit publik, sepse në kësi rasti funksionari publik deklaron se nuk është më i tillë.