Komisioni Evropian i ka transferuar buxhetit të Kosovës edhe 5,25 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe grupet e cenueshme në zbutjen e ndikimit të pandemisë së COVID-19 dhe rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Siç njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, transferi sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë eurosh.

“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE-ja janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”, thuhet në njoftim.

Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes së BE-së, ku BE-ja shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes.

Lexo po ashtu:  Escobar: 2 janë kushtet e SHBA për nismën “Ballkani i hapur”

Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20,5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor të vitit 2020.

“BE-ja inkurajon Qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sistem. Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente”, përfundon njoftimi i BE-së.

Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *