Aksioni i sekuestrimit të villave të pasanikëve në Brezovicë ka dridhur elitën e biznesit në vend.

Një aksion i zhvilluar dje, i cili po vazhdon edhe sot në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 100 vikend-shtëpiza të ndërtuara jashtëligjshëm.

Villat për të cilat shteti më pas do të vendos nëse duhet të rrëzohen ose jo, dje u rrethuan me shirita të policisë.

Nga burime të sigurta gazeta ka mësuar se disa nga villat e sekuestruara dyshohet se janë të biznesmenit Hajrush Ajvazi.

Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, Ajvazi ka pasur lidhje të forta me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Në aksionin e marsit të këtij viti, Policia e Kosovës kishte zbarkuar në shtëpinë e tij për bastisje, por Ajvazi kishte arritur të arratisej.

Sipas Prokurorisë, Hajrush Ajvazi dyshohet se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka blerë pronë të paluajtshme në vikend- zonën e Brezovicës, me qëllim ndërtimi të vikend-shtëpizave, kështu që për lejimin e ndërtimit të vikend-shtëpizave, i ka dhënë nga 10 mijë euro për një leje të pandehurit Bratislav Nikoliq, përmes të pandehurit Jadran Kortiq.

Lexo po ashtu:  Banditët serbë djegin veturën e një televizioni të Kosovës në Zubin Potok

Më vonë siç përshkruan Prokuroria, janë bërë aksionar në ndërtim duke marrë secili pjesën e tij në atë mënyrë që i pandehuri ka ndërtuar vikend-shtëpizat, kurse të pandehurit Bratislav Nikoliq i ka dhënë vikend-shtëpi si kompensim për lejet ndërtimore, të cilat ndërtime janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale dhënie ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Ndryshe, Hajrush Ajvazi udhëheq me kompaninë private “Loni-1” Sh.P.K., një biznes afarist i cili operon mes tjerash edhe në fushën e blerjes dhe shitjes së patundshmërive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *