Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi komentoi në lidhje me progres-raportin e BE-së për Kosovën.
Deputeti Rrustemi theksoi se për dallim nga herët e tjera, ky raport nuk përmend më vërejtje të tilla si ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë, gjë që sipas tij ka qenë diçka e zakontë në raportet që përfshinin vitet e qeverisjeve përpara Qeverisë Kurti.
Ndër të tjera, z. Rrustemi përmend edhe se në këtë raport nuk gjenden më vërejtje të llojit si ndërhyrjet në agjencitë e pavarura, në organet rregullative, në RTK dhe nuk flitet më për administratë të politizuar.
Komenti i plotë i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi:
Në raportet e mëparshme të Progresit, fraza të tilla ishin të zakonshme:
…ndërhyrje politike në gjyqësor;
…ndërhyrje në agjencitë e pavarura;
…organet rregullative janë sfiduar nga ndërhyrja politike;
…ndërhyrje politike në RTK;
…administratë e politizuar;
…presionet dhe ndërhyrjet politike vazhdojnë të ndikojnë procesin e vendim-marrjes për kategorizimin e të burgosurve;
…ndërhyrje politike tek aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë.
Ndërsa në Raportin e këtij viti Kosova nuk kritikohet për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë.
Natyrisht që ka shumë punë për t’u bërë, sidomos në luftën kundër korrupsionit e për gjyqësi të pavarur dhe efikase, për të cilat po punojmë në reformat në drejtësi.