Nga CNN

Njerëzit që konsumojnë më shumë yndyrna të qumështit dhe nënprodukteve të tij,janë më pak të rrezikuar të preken nga sëmundjet kardiovaskulare, sesa ata që konsumojnë më pak. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri, i cili studion disa nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të produkteve të qumështit.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, studioi konsumin e yndyrës së bulmetit tek 4.150 njerëz 60 vjeçarë në Suedi, vend i cili ka nivelet më të larta në botë të prodhimit dhe konsumit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Ata matën nivelet në gjak të një acidi yndyror të veçantë, që gjendet më së shumti tek bulmeti.

Më pas ekspertët e vëzhguan këtë grup njerëzish për 16 vjet, për të parë sesa prej tyre do të përjetonin sulme në zemër, goditje në tru dhe ngjarje të tjera serioze të qarkullimit të gjakut, dhe sa prej tyre vdiqën.

Pas llogaritjes statistikore dhe faktorëve të tjerë të njohur të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë moshën, të ardhurat, stilin e jetës, zakonet dietike dhe sëmundjet e tjera, studiuesit zbuluan se ata që kishin nivele të larta të acidit yndyror – tregues i konsumit të lartë të yndyrave të qumështit -ishin më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare, teksa nuk kishin asnjë rrezik të shtuar të vdekjes nga të gjitha shkaqet.

Lexo po ashtu:  Ja ç’ndodh me organizmin tuaj, nëse hani dy kivi në ditë

Ekipi i konfirmoi këto gjetje edhe tek popullata të tjera, pasi kombinoi rezultatet e studimit suedez me 17 studime të tjera, që përfshinin një total gati 43.000 njerëz në SHBA, Danimarkë dhe Britaninë e Madhe.

“Ndërsa gjetjet mund të ndikohen pjesërisht nga faktorë të tjerë përveç yndyrës së qumështit, studimi ynë nuk sugjeron ndonjë dëm nga kjo lloj yndyre në vetvete”- thotë Mati Marklund, studiues në Institutin Xhorxh për Shëndetin Global në Sidnei të Australisë.

“Ne zbuluam se ata që kishin nivelet më të larta të kësaj lloj yndyre ishin më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. Kjo lidhje është shumë interesante, por ne kemi nevojë për studime të mëtejshme që të kuptojmë më mirë ndikimin e plotë shëndetësor të yndyrave të qumështit dhe nënprodukteve të tij”- shtoi ai.

Autorja kryesore e studimit Kati Trio, studiuese në Institutin Xhorxh, tha se konsumimi i disa ushqimeve të qumështit, dhe sidomos i produkteve të fermentuara, ishte lidhur edhe më parë me disa përfitime për shëndetin e zemrës.

Lexo po ashtu:  Agjencia Evropiane e Barnave shpall vendimin: AstraZeneca është e sigurt, nuk ka asnjë lidhje me mpiksjet

“Ka dëshmi në rritje që sugjerojnë se ndikimi shëndetësor i produkteve të qumështit mund të varet më shumë nga lloji – si djathi, kosi, qumështi dhe gjalpi – sesa nga përmbajtja e yndyrës, gjë që ka ngritur dyshime nëse shmangia e yndyrave të qumështit është e dobishme në përgjithësi për shëndetin kardiovaskular”- theksoi ajo.

“Studimi ynë sugjeron që reduktimi i yndyrnave të qumështit apo shmangia krejtësisht e tyre nuk mund të jetë zgjidhja më e mirë për shëndetin e zemrës. Është e rëndësishme të mos harroni se ndonëse produktet e qumështit mund të jenë të pasura me yndyra të ngopura, ato janë gjithashtu të pasura me shumë lëndë të tjera ushqyese, ndaj mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme. Por edhe yndyrna të tjera si ato që gjenden në ushqimet e detit, arrat dhe tek vajrat vegjetale jo tropikale, mund të kenë përfitime më të mëdha shëndetësore sesa yndyrat e qumështit”- thekson Trio./CNN/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *