Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.
“Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 500 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në këtë konferencë.
Petkoviq ka thënë se policët kosovarë kanë bllokuar të gjithë veriun e Kosovës, ndonëse nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani dhe qytetarët kanë qenë të lirë të filmojnë dhe të përcjellin lëvizjet e policëve.
Sipas Petkoviq, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
“Po e përsëris, veçanërisht për ata në Perëndim, që policia shqiptare nga jugu ka pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë ai në këtë konferencë.