Bashkimi Evropian është i shqetësuar me situatën në veri të Kosovës. Zëdhënësi, Peter Stano, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të kujdesen për të deeskalaur situatën dhe të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve.

Ai theksoi se BE-ja dënon të gjitha incidentet dhe sulmet e dhunshme që po ndodhin në veri të Kosovës.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare po e ndjekin situatën në terren në Kosovë me shumë vëmendje dhe Bashkimi Evropian është i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri specifikisht, dhe ne i dënojmë, natyrisht, të gjitha incidentet dhe sulmet e dhunshme që ndodhin atje”.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare po bëjnë thirrje për përgjegjësi dhe për deeskalim, sepse kjo është ajo që duhet para së gjithash për të mirën e popullatës vendase. Misioni Evropian, EULEX-i dhe KFOR-i gjithashtu, në rolet e tyre përkatëse në Kosovë si ofrues i dytë dhe i tretë i sigurisë janë të pranishëm në terren, ata janë të vendosur dhe vazhdojnë patrullimin dhe monitorimin e situatës”, u shpreh Stano.

Lexo po ashtu:  Presidenti serb Vuçiç vjen sot në Tiranë, organizohen protesta të fuqishme

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve.

“Fokusi tani duhet të jetë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo është thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, por edhe për uljen e tensioneve dhe për të deeskaluar situatën, diçka që Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare kanë bërë vazhdimisht thirrje për këtë më së fundi në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Tiranë”, vijoi Stano.

Gjatë së premtes, Mbretëria e Bashkuar iu ka bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke përfshirë në listën e zezë Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin. Ky i fundit është nënkryetar i Listës Serbe, ndërsa të dy janë të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Stano u pyet nëse një masë e ngjashme mund të marrë edhe Bashkimi Evropian, por deklaroi se për çfarëdo sanksione duhet të ketë koordinim mes të gjitha shteteve anëtare.

“BE-ja nuk ka listë të zezë, ne kemi listën e sanksioneve për shembull, por çdo herë kur bëhet fjalë për sanksionet, siç e dini, sanksionimi është diçka që është në duart e shteteve anëtare, diçka që nuk e diskutojmë kurrë publikisht për sa i përket diskutimeve, sugjerimeve, propozimeve apo mundësive të mundshme”.

Lexo po ashtu:  "Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe është pjesë e rezistencës kundër sulmeve barbare ndaj gjuhës shqipe"

“Pra, kjo është diçka që nuk do ta komentoj, por mund të përsëris vetëm se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë përgjegjëse për marrjen ose vendosjen për çfarëdo mase kur bëhet fjalë për çështje të tilla, po e shikojnë situatën nga afër, po e ndjekin atë, dhe e di shumë mirë kush çfarë po bën. Pra, nëse do të ketë konsensus se duhet të bëjmë diçka kundër njerëzve të caktuar, atëherë shtetet anëtare do ta diskutojnë dhe do të vendosin për të, por nuk më takon mua të spekuloj publikisht nëse kjo është bërë, po bëhet, apo do të bëhet së shpejti”, tha Stano.

Veselinoviq dhe Radoiçiq janë në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërsa britanikët kanë sanksionuar edhe Slobodan Teshiq, tregtar i njohur armësh nga Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *