I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ka arsye për barrikadat që serbët kanë vendosur në veri. Megjithatë, ai thekson se ato duhet të hiqen brenda disa ditësh. Në një intervistë për televizionin serb N1, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Escobar është shprehur optimist për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.

“Nuk dua të hyj në detaje të bisedës. Por më duhet të them se ka elemente për optimizëm. Përveç kësaj, dua të them se ne nuk kemi nevojë vetëm për një zgjidhje të kësaj krize aktuale. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam ta kthejmë këtë krizë në një mundësi, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, – ka theksuar Escobar.

Ai ka deklaruar se pritshmëritë e SHBA-së janë që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i vendosin. Sipas tij, ka një arsye pse ato u vendosën dhe pse do të hiqen.

Lexo po ashtu:  NATO: Përfshirja në Partneritet për Paqe kërkon miratimin e vendeve anëtare

“Ne dëgjuam shqetësimet e tyre. Ato janë legjitime. Ne duam të punojmë me komunitetin serb në veri të Kosovës, për të përmbushur kërkesat e tyre. Ka një mënyrë për të ecur përpara. Ashtu siç ka një arsye pse vendosin barrikadat dhe pse do t’i heqin ato. Po ashtu serbët duhet të kthehen në institucionet e përbashkëta sepse ata janë të nevojshëm atje. Mendoj se në të ardhmen e afërt, kjo do të ndodhë”, – ka deklaruar Escobar.

Escobar ka deklaruar se ende nuk është caktuar një afat për heqjen e barrikadave dhe kthimin në institucione, por thekson se pret që kjo të bëhet “në një të ardhme të afërt, pra për disa ditë”. Gjatë intervistës, Escobar ka përsëritur edhe një herë se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e ushtrisë serbe në veri të Kosovës”. “Nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Nuk është koha për të përdorur ushtrinë, është koha për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin”, – ka thënë Escobar.

Lexo po ashtu:  Presidenti francez, Macron, mbështet ripublikimin e karikaturave të profetit Muhamed nga “Charlie Hebdo” (VIDEO)

Ai ka theksuar gjithashtu se deklarata e tij që “Kosova ka garanci sigurie nga SHBA-të” nuk është kërcënim për Serbinë. Këto garanci sipas tij vlejnë edhe për serbët në Mitrovicën e Veriut. “Ne nuk do të lejojmë askënd nga Kosova të kërcënojë Serbinë dhe nuk do të kërcënojmë sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës”, – tha Escobar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *