Sapo mbërriti në Marrakesh, misionari vendosi që të kalonte çdo mëngjes në shkretëtirën që shtrihej në skajet e qytetit. Tek bënte shëtitjen e parë, vuri re një burrë të shtrirë në rërë, që përkëdhelte dheun dhe veshin e kishte ngjeshur në tokë.

“Do jetë i çmendur,” tha me vete.

Por e njëjta skenë përsëritej çdo ditë dhe, pas një muaji, i intriguar nga ajo sjellje e çuditshme, misionari vendosi t’i afrohej të panjohurit. Me shumë vështirësi – për shkak të arabishtes ende të çalë – u gjunjëzua pranë tij dhe e pyeti:

– Çfarë po bën?

– Po i bëj shoqërinë e shkretëtirës, e ngushëlloj për vetminë dhe lotët e saj.

– Nuk e dija që shkretëtira mund të qante.

– Ajo qan përditë, sepse ka një ëndërr, ajo do të bëhet e dobishme për njeriun dhe të shndërrohet në një kopsht të madh, në të cilin burrat të mund të kultivojnë lule e drithëra dhe të rrisin bagëtinë.

– Thuaji shkretëtirës se e ka përmbushur misionin – ia preu misionari. – Sa herë që jam këtu, arrij të kuptoj dimensionin e vërtetë të qenies njerëzore, sepse kjo pafundësi më lejon të shoh sa të vegjël jemi para Zotit. “Kur shoh rërën e shkretëtirës, ​​imagjinoj miliona njerëz në mbarë botën që janë rritur njësoj, edhe pse bota nuk është gjithmonë e drejtë me ta. Dunat e saj më ndihmojnë të meditoj. Dhe duke parë diellin tek lind në horizont, shpirti më mbushet me gëzim. E kështu afrohem më shumë me Krijuesin”.

Lexo po ashtu:  Galaxy S10 cilësohet si telefoni me ekranin ‘më të mirë ndonjëherë’

Misionari i tha tungjatjeta burrit dhe iu rikthye punëve të përditshme. Të nesërmen në mëngjes, e gjeti sërish aty, dhe në të njëjtin pozicion.

– A i fole shkretëtirës për atë që të thashë? e pyeti.

Burri pohoi me kokë.

– Dhe prapë shkretëtira vazhdon të qajë?

Mund të dëgjoj çdo ngashërim të saj. Tani shkretëtira qan, sepse kishte kaluar me mijëra vite duke besuar që ishte e padobishme, dhe humbi gjithë atë kohë duke mallkuar Zotin dhe fatin e saj.

– Atëherë thuaji shkretëtirës se njeriu, edhe pse ka një jetë shumë më të shkurtër se ajo, i kalon shumë prej ditëve duke menduar që është i padobishëm. Ai rrallëherë kupton arsyet e fatit të vet. Është i bindur se Zoti ka qenë i padrejtë kundrejt tij. Kur më në fund vjen koha kur ndodh diçka, e cila i tregon arsyen pse ka lindur, ai mendon që është tepër vonë për të ndryshuar jetën e tij, dhe vazhdon të vuajë. Ashtu si shkretëtira, ndihet fajtor për kohën që ka humbur.

Lexo po ashtu:  Samsung do të bëjë një gjë për të cilën Apple urrehet shumë

– “Nuk e di nëse shkretëtira do të dëgjojë,” tha burri. “Tashmë ajo është mësuar të vuajë dhe nuk mundet që t’i shohë gjërat ndryshe”.

– Atëherë do të bëjmë atë që unë bëj gjithmonë kur e ndiej se njerëzit i kanë humbur shpresat. Do të lutemi.

Të dy u gjunjëzuan dhe filluan të falen, njëri me fytyrë nga Meka sepse ishte musliman, tjetri me duar të bashkuara në lutje, sepse ishte katolik. Kështu iu lutën Zotit të tyre, i cili ka qenë gjithmonë i Njëjti, edhe pse njerëzit këmbëngulin t’i vënë emra të ndryshëm.

Të nesërmen, kur misionari bëri sërish shëtitjen e mëngjesit, burri nuk ndodhej më aty. Në vendin ku dikur përkëdhelte rërën, toka ishte lagur, sepse ishte krijuar një burim i vogël. Me kalimin e muajve, burimi u bë më i madh dhe banorët e qytetit ndërtuan një pus rreth e rrotull tij.

Beduinët e quajnë atë vend “Pusi i Lotëve të Shkretëtirës”. Thuhet se kushdo që pi ujin e tij do të jetë në gjendje ta shndërrojë arsyen e vuajtjes së ve, në arsye për të qenë i gëzuar. Dhe në fund, do të gjejë fatin e tij të vërtetë. / La Repubblica – Bota.al

Lexo po ashtu:  Letërsa e mbushur me gra që tradhëtojnë/ 10 gratë më jobesnike të historisë së letërsisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *