Vijojnë tensionet në veri të Kosovës. Sot shënohet dita e 17- të nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tre komuna veriore të Kosovës, në Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok. Një ditë më parë një ekip i KFOR-it u sulmua në Zubin-Potok, por fatmirësisht nuk u raportua për të lënduar. Pjesëtarët e KFOR-it, siç bëjnë me dije edhe mediat kosovare janë nga Letonia. Reagime ka patur nga mediat serbe dhe presidentja e Kosovës mbrëmjen e djeshme. Sot KFOR-i ka dhënë detaje lidhur me sulmin. KFOR ka konfirmuar se janë dëgjuar krisma armësh pranë patrullës e cila ishte duke monitoruar gjendjen. Gjithashtu, njoftohet se lidhur me rastin janë duke u kryer hetime.

“Po, mund të konfirmoj se para disa orësh KFOR-i, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër patrullës. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.

Edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për të hequr barrikadat, serbët kanë zbarkuar kamionët dhe makineritë e rënda në rrugë. Më herët KFOR-i kërkoi zgjidhje përmes dialogut. Dy ditë më parë Kryeministri Kurti në një konferencë për media tha se nuk mund të tolerohet gjendja e krijuar në Veri, teksa bëri të ditur se me komandantin e KFOR-it do të takohet pas Krishtlindjeve. Që prej 10 dhjetorit në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

Lexo po ashtu:  Këshili i Ambasadorëve Shqiptarë mbi emërimin e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *