Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është adresuar pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe ndërmjetësuesit evropianë.

Ai ka deklaruar se nuk është pajtuar dhe nuk ka fshehur asgjë, raporton “RTS”. Ka thënë se në Bruksel vetëm kanë biseduar dhe se nuk ka pasur asgjë më shumë se kaq.

“Për mua është e rëndësishme që të përpiqem t’u tregoj njerëzve se çfarë po bëjmë gjatë gjithë këtyre muajve, sepse nuk bëhet fjalë për një letër dhe një takim. Dje në Bruksel kemi biseduar, nuk jemi pajtuar dhe asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk i ka pëlqyer asgjë që ka dëgjuar në Bruksel dhe se një pikë nënkupton se Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në OKB.

“Prandaj nuk kam nënshkruar. Jam i habitur sa naiv janë të gjithë. Ju nuk e dini se francezët dhe gjermanët e mbështesin një Kosovë të pavarur”.

Presidenti serb e ka quajtur shumë të paqartë deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

“Unë them se nuk kam çfarë të fshehi, kjo na është vendosur: merrni ose lëreni. Deklarata e Borrellit është shumë e paqartë, unë po flisja për një koncept apo një kornizë. Jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha temat, e kjo do të çonte në normalizim. Por, ne kemi nevojë për normalizim me shqiptarë. Por, këto nuk kanë lidhje me çështjet më të rëndësishme shtetërore. Për ne është shumë më e lehtë të besojmë se CIA shkaktoi tërmete në Turqi, kjo më shkakton turp se në këtë besojnë 25 për qind e njerëzve në këtë vend. Pra, pse jo në Moskë, por në Diyarbakir”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se ka kundërshtuar qartë kur bëhet fjalë për “njohjen e ndërsjellë dhe pranimin e hyrjen e Kosovës në OKB”.

“Dua t’u them serbëve, mendoj se është e rëndësishme të flasim. Kur je në tryezën e bisedimeve, ata nuk mund të vendosin pa ty. Pra, ose këtë, ose i lëmë negociatat me të gjitha pasojat që pësuam në vitet e nëntëdhjeta, dhe rrënim të plotë ekonomik. Unë komunikoj shumë saktë dhe them: Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga plani, por ne e bëmë një kundërshtim të qartë, të madh. Këtë ia thashë Macronit e Scholzit në Munich dhe gjithë liderëve të mëdhenj. Fjala është se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje të ndërsjellë dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB. Më thanë se nuk ka negociata për këtë. E përsëris për herë të pestë, nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa gjërave. Këtu po e përsëris për të dhjetën herë. I thashë Macronit, Scholzit, Lajçakut. Ndërsa unë jam president i republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as informale të Kosovës, as anëtarësimin në OKB”, tha Vuçiq.

Lexo po ashtu:  “Ajo nuk është marrëveshje, është i zotim i Hotiit, çka do bënte ai nëse do të qeveriste, nuk angazhon askënd. Veç Avdullah Hotin.”

I pyetur se sa ka gjasa të ndryshohet propozimi evropian, Vuçiq ka thënë “se s’ka asnjë gjasë”

Vuçiq: Ndërkombëtarëve ua kam dorëzuar përgjigjen tonë

Vuçiq ka thënë se një pjesë e ekipit të tij prisnin se nga BE-ja do të dilnin me njoftim “se Kurti nuk është gati për AKS-në”.

“Por, unë e dija se kjo nuk do të ndodhte, por do të manovronin, se do të kishte një mesazh të balancuar. Njerëzit thonë se nuk kemi reaguar në asnjë mënyrë, dhe se nuk kemi dërguar asnjë kundërshtim, gjë që është e pasaktë. E kam sjellë këtu përgjigjen tonë, në gjashtë faqe të shtypura mirë, shikoni sa e saktë dhe e plotë është përgjigja jonë jo në letër, e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Lexojeni dhe tregojuni njerëzve se ju kam gënjyer. Është dorëzuar te përfaqësuesit ndërkombëtarë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka treguar edhe se është paralajmëruar me pasoja të rënda nëse refuzon planin.

“Pasojat e refuzimit të planit janë ndalimi i integrimeve evropiane, vetëm se kjo nënkupton fundin e investimeve, thanë tërheqje direkte të investimeve”, ka thënë Vuçiq. “Ne aktualisht kemi 80 mijë njerëz që punojnë në fabrika me pronësi gjermane. Ata kërcënuan me një sërë mesazhesh tjera, duke përfshirë që Serbia do të bëhej e pabesë dhe do të izolohej nga bota”.

Vuçiq ka thënë se asnjë marrëveshje nuk e fsheh.

“Çdo marrëveshje që kemi arritur shpallet publikisht. Ato mund të shkojnë në faqen e Zyrës për Kosovë dhe të shihet se çfarë kemi nënshkruar secili”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq: Duhet bërë kompromise racionale

Vuçiq ka thënë se duhet bërë “kompromise racionale për jetë normale”.

“E për këta luftëtarë të tastierave, që janë aq të fortë por do t’u binte të fikët nga një shuplakë, do t’i përdornin fëmijë e tjerëve për të shkuar në luftë. Ata do të dërgonin fëmijët tuaj në luftë, e kur shkojnë në Kosovë ata kthehen sepse nuk kishin PCR. Njerëzit që kanë shkatërruar ushtrinë e këtij vendi, pyetja ime është: ‘E çfarë me këtë?’ Ne humbim njerëzit dhe luftën me NATO-n. Çfarë pastaj. Ata thonë të shkojmë në paqe. A duhet t’i bindim shqiptarët të jenë autonomi në Serbi? Të mos gënjejmë veten, 99.99 për qind e shqiptarëve janë për Kosovën e pavarur. Le të bëjmë kompromise racionale për jetën normale këtu”, ka thënë Vuçiq.

Lexo po ashtu:  Moska përdor raketa hipersonike për të shkatërruar një bazë ushtarake të Ukrainës! Po çfarë janë këto raketa?

Ai ka thënë se ka luftuar për Serbinë dhe do të vazhdojë të bëjë.

Vuçiq ka folur edhe për konfirmimin e dënimit të Ivan Todosijeviqit nga Gjykata e Apelit në Kosovë për mohim të masakrës së Reçakut.

Ai ka thënë se “kjo tregon se sa e vështirë është që me shqiptarët të flitet dhe të arrihet marrëveshje”.

Vuçiq: Kurti s’e formon Asociacionin

Vuçiq ka thënë se nuk pret që Kurti ta formojë Asociacionin.

“Unë nuk pres që Kurti të formojë Asociacionin. E kam thënë 55 deri në 60 herë në Bruksel dje. Ata e dëgjuan atë që thashë. Ky është thelbi i asaj që mungon nga viti 2013. Kur të formohet, atëherë do të duhet të ulemi dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, edhe ato të vështirat. Kurti thotë se nuk do ta zbatojë atë që ka nënshkruar dikush tjetër, se ka qenë një qeveri kriminale në atë kohë”.

I pyetur se si duken bisedimet në Bruksel, Vuçiq me ironi tha se ishin “shumë të mira”.

“Asgjë e bukur, asgjë e bukur. Ne flasim anglisht, diçka më del në serbisht. Kurti flet shumë mirë serbisht, ishte në burg derisa e liruan nga burgu. Nënshkrimin mund ta shihni këtu tek falja. Kështu duket kur dikush nënshkruan diçka, e unë nuk kam nënshkruar asgjë. Dhe në Bruksel thonë të tyret, ne themi tona, nuk pajtohemi për asgjë”, tha Vuçiq.

Vuçiq, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të vijë në Maqedoni të Veriut më 18 mars ku do të diskutohet, porse ky nuk është asnjë afat.

“Këshilli Evropian mban seancë më 24 mars, aty do të thonë se çfarë po bëjmë ne atje. Nëse nuk bëjmë sa duhet atëherë nuk do të na hapin disa grupe të reja. Do të ketë presion, natyrisht, dhe askush nuk do të lejojë që bisedimet të vazhdojnë pafundësisht, por deri tash kanë vazhduar pafundësisht”, ka thënë Vuçiq.

Lexo po ashtu:  Vuçiq krahason Serbinë okupuese me shqiptarët mbrojtës: Serbët dhe shqiptarët kanë një problem, kemi mësuar shumë përralla

Sa i përket për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Vuçiq ka thënë se janë “katër marrëveshje”.

“Njëra është marrëveshja bazë e vitit 2013, e dyta është mandati i ekipit menaxhues, e treta është plani i zbatimit dhe e katërta është marrëveshja e parë për parimet. Krahas kompetencave të AKS-së, siç janë forcimi i demokracisë, kujdesi shëndetësor parësor dhe sekondar, kushtet për të kthyerit, aktivitetet kërkimore, gjithashtu mund të promovojnë dhe përfaqësojnë interesat e përbashkëta të anëtarëve të AKS-së dhe t’i prezantojnë ato para autoriteteve të Prishtinës, pra të ofrojnë dhe kryejnë shërbime publike, duke monitoruar zbatimin e qëllimeve të veta dhe përgjegjësive tjera. Përbëhet nga kuvendi, kryetari, këshilli, bordi dhe administrata. Kanë të drejtën të kenë pronën e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme, të kenë kompani, flamuj e stemë. Vendimet merren me 2/3 e shumicës”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq tha se “pika 16 flet për diçka që është me rëndësi e vendimtare”.

“Asociacioni i komunave financohet përmes donacioneve, kredive të pakthyeshme, si dhe nga Republika e Serbisë. Pse është e rëndësishme kjo? Imagjinoni sikur të anulojë transaksionet e pagesave me Serbinë. Pra, si do t’i paguajmë rrogat e profesorëve, mjekëve, dhe pensionet. Dhe kështu thonë se ne kemi përgjithmonë të drejtën të paguajmë para për AKS-në dhe ajo do t’i paguajë më pas, dhe askush s’ka të drejtë të anulojë këtë të drejtë. E askund në Marrëveshjen e Brukselit nuk është paraparë Kosova e pavarur, dhe Asociacioni është shumë i paraparë aty”, tha Vuçiq.

Vuçiq thotë se Asociacioni nuk gjendet në udhërrëfyes pasi Kurti nuk e ka pranuar, por se është në radhë për Serbinë.

“Unë nuk mund të kërcej në hapën e tetë apo të nëntë, jam shumë i vjetër për të kërcyer. Ata do të formojnë AKS-në dhe pastaj vazhdojmë me diskutime të mëtutjeshme. Mos harroni se AKS-ja është i rëndësishëm jo vetëm për veriun. Aty janë edhe gjashtë komuna në jug”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se “do të ketë presion mbi ata që nuk i përmbushin obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *