Afrim Fanda

A u duhet shqiptarëve në ish-IRJM një “Asociacion i Komunave Shqiptare”?

Ishte vetëm çështje kohe kur ndonjëra nga partitë shqiptare në ish-IRJM do të abuzonte me situatën delikate të krijuar me insistimin e Serbisë për “Republikën Serbska” në Kosovë, duke bërë paralelizma mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në ish-IRJM.  Dhe ashtu ndodhi.  Partia erdoganiste Alternativa, e sapodëbuar nga koalicioni qeverisës me LSDM dhe BDI, doli me “shashkën patriotike” të thirrjes drejtuar partive shqiptare BDI, ASH dhe BESA, të cilat drejtojnë Komuna në RMV, të ngrejnë nismën për themelimin e “Asociacionit të Komunave Shqiptare në RMV”, duke kërkuar që ky Asociacion të ketë po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”.

Motivi skajshmërisht abuzues i krerëve të kësaj partie, i bën moskokëçarës për pasojat dhe pikëpyetjet që ngren kjo iniciativë: – Do ishin dakord ata që “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” të ketë kompetenca ekzekutive, në mënyrë që në saje të paralelizmit, këto kompetenca t’i ketë edhe “Asociacioni i Komunave shqiptare në ish IRJM”? Cilat janë pasojat nga refuzimi i pritur i kësaj iniciative nga partitë  tjera shqiptare të akomoduara në pushtetin qendror dhe atë lokal? A i jepet mesazhi i gabuar bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët në ish IRJM janë kundër iniciativave për të vetëvendosur dhe për t’u vetëqeverisur?

Lexo po ashtu:  Ndëshkimi i politikanëve të korruptuar, kusht për në BE

Padyshim, çdo kërkesë e shqiptarëve të cilët përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë në ish-IRJM, për ridefinimin e shtetit dhe sistemit qeverisës, nga ai unitar në federativ/konfederativ është e drejtë dhe e ligjshme.  Është zgjidhja e vetme që atyre do t’u jepte mundësinë për t’u vetëqeverisur në njësitë e tyre shtetërore. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të gëzonin të gjitha të drejtat kolektive si popull autokton dhe shtetformues, jo vetëm që përfaqësuesit e tyre politikë do ju jepnin llogari drejtpërdrejt zgjedhësve në vend të partive sllave, jo vetëm që do të ishin në gjendje të zbatojnë politika kombëtare zhvillimore, arsimore dhe kulturore me buxhetin që ju takon, për të parandaluar egzodin e të rinjve jashtë vendit, por kjo do të shuante edhe konfliktet dhe do të relaksonte njëherë e mirë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend.

Por jo duke imituar më pak se 4% kolonë serbë në Kosovë, të mbledhur rreth grupeve kriminale serbe që zbatojnë urdhërat e Beogradit në Kosovën me mbi 90% shqiptarë! Kërkesa për “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” nuk është një kërkesë e ligjshme e banorëve të Kosovës që mund të merret si shembull, por një rrugë e tërthortë, invazive, hegjemoniste e Beogradit, për të formuar “Rebpublikën Serbska” në Kosovë, që do të coptonte dhe Bosnjëzonte Kosovën, për ta shëndruar atë në një shtet jofunksional, dhe në këtë mënyrë, në një pre të lehtë që në një të ardhme të afërt ta kthente përsëri si pjesë të Serbisë.

Lexo po ashtu:  BE-ja nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë

Shqiptarët në ish IRJM, që edhe sipas Censusit të fundit i cili nuk fitoi besueshmërinë jo vetëm të shqiptarëve, por gjithë popujve të regjionit, përfaqësojnë 30% të popullsisë, nuk kanë nevojë për një rrugë të ndërmjetjme për të realizuar të drejtat e tyre kolektive, aq më pak duke marrë shembullin e serbëve të Kosovës!

Zgjidhja është shumë e vonuar, por një hap larg!

Mjafton që krerët e korruptuar të partive shqiptare të heqin dorë nga shtëpitë milionshe në lagjet ekskluzive të Shkupit, postet, tenderat dhe përfitimet e tjera në shkëmbim të mercenarizmit të tyre politik, dhe të tërhiqen jo vetëm nga pushteti ekzekutiv, por edhe nga ai legjislativ, duke kushtëzuar çdo komunikim me palën tjetër, me ridefinimin e kushtetutës dhe të shtetit,  për të fituar pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon shqiptarëve.

E nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë, janë vetë qytetarët shqiptarë ata që duhet t’i detyrojnë, duke mbushur sheshet dhe rrugët e qyteteve të tyre, për të luftuar sot për një të ardhme më të mirë dhe vende pune për fëmijët e tyre, për dallim nga ajo që kanë bërë deri tani, duke kërkuar vende pune për veten e tyre në shkëmbim të nënshtrimit ndaj këtyre partive.

Lexo po ashtu:  Edi Rama është dashur të harton draft për Krahinën e Preshevës, e jo për shtetin e  Kosovës  

Është kaq e thjeshtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *