Në mbledhjen e së martës, Bordi i RTK-së ka njoftuar se ka miratuar rregulloren e Festivalit të Këngës që do të organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës.
Me këtë rregullore përcaktohet mënyra e themelimit dhe organizimit të brendshëm të festivalit, duke përfshirë udhëheqjen e tij, si dhe të drejtat dhe detyrat e të angazhuarve dhe të pjesëmarrësve.
“Krahas plotësimit të një detyrimi ligjor për t’i ofruar publikut ngjarje të mëdha kulturore e artistike, RTK-ja nëpërmjet festivalit synon ta përmbyllë një angazhim shumëvjecar të sajin për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Eurovizion”.
“Sipas rregullores së miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit, Festivali i Këngës në RTK është i mëvetësishëm në skenën muzikore të Kosovës me simbolet e veta identifikuese, institucionale dhe artistike me qëllim të ruajtjes, kultivimit dhe prezantimit të vlerave muzikore”, ka njoftuar Bordi i RTK-së.
Bëhet e ditur se pas miratimit të rregullores, Bordi i RTK-së sot ka miratuar propozimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për emërimin e Adi Krastës në pozitën e drejtorit të festivalit. /Zëri/