Pas publikimit rreth një muaj më parë të lajmit se një shqiptare qëndron prapa zbulimit të ri ChatGPT, mediat britanike dhe pastaj edhe ato zvicerane sërish kanë nisur të shkruajnë gjerësisht rreth shkencëtares në fjalë, Mira Muratit.

Këto të fundit, e pasqyrojnë “euforinë” që në mesin e komunitetit shqiptar mbretëron lidhur me shqiptaren 35 vjeçare që jeton në SHBA.

“Kjo pasqyron ambicien tonë” , kështu e feston komuniteti shqiptar Mira Muratin, është titulli i një artikulli të publikuar në 20minuten.ch, ku përfaqësues të komunitetit flasin për “fenomenin”.

Euforia që rrethon chatbot-in dhe gjeneratorin e tekstit ChatGPT është aktualisht e madhe. Pas saj qëndron 35-vjeçarja Mira Murati. Shqiptarja ka qenë Shefe e Teknologjisë në OpenAI, kompania që qëndron mbrapa ChatGPT, që nga maji i kaluar, transmeton albinfo.ch. Ajo ka punuar më parë në Tesla në Model X. Kjo e bën krenar komunitetin shqiptar në Zvicër.

“Të gjithë po flasin aktualisht për ChatGPT, qoftë me miqtë, në zyrë apo në tryezën e kuzhinës. Jemi shumë të lumtur që parapa kësaj qëndron një grua shqiptare”, thotë Përparim Avdili, kryetar i organizatës Swissalbs të komunitetit zvicerano-shqiptar dhe kryetar i FDP-së së qytetit të Cyrihut.

Lexo po ashtu:  8 cilësitë e një gruaje të fortë

Suksesi i Muratit është i jashtëzakonshëm dhe tregon se çfarë mund të arrihet me intelekt.

Ajo ka një funksion të madh dhe të rëndësishëm modeli për komunitetin shqiptar dhe veçanërisht për gratë e reja, thotë ai.

“Ajo u jep të rejave shqiptare një perspektivë”

Manusha Sakica, sipërmarrëse dhe stiliste nga Lucerni, e sheh shkencëtaren shqiptare në mënyrë të ngjashme.

“Mira Murati hap dyert dhe u jep të rejave shqiptare një perspektivë. Kjo u tregon atyre se ato mund të shkojnë larg – madje edhe në Silicon Valley”.

Manushja e sheh shumë motivuese që një person që lëviz botën të ketë të njëjtat rrënjë sikur ajo vetë.

“Ajo është një frymëzim për mua. Unë dhe ndoshta edhe çdo grua shqiptare do të donim tani të pretendonim se është kushërira jonë”, bën shaka sipërmarrësja.

Edhe sipërmarrësi Sysret Kastrati është krenar për historinë e suksesit të Muratit. “Kjo pasqyron ambicien e komunitetit tonë dhe përpjekjen tonë për të bërë një ndryshim në botë”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Zvicër/ Edhe një doktorante shqiptare në Universitetin e Zyrihut

Siç thotë ai, histori të tilla suksesi kanë një efekt të menjëhershëm pozitiv. “Ato na motivojnë të bëjmë më mirë, gjë që përfundimisht i sjell përfitim shoqërisë”.

Kastrati sheh një tjetër efekt pozitiv në perceptimin kombëtar dhe ndërkombëtar të komunitetit shqiptar. “Këto arritje na vendosin në një pozicion më të mirë strategjik, qoftë në nivel politik, personal apo biznesi. Pra, origjina jonë tani nuk lidhet me raporte negative, por përkundrazi me CTO të ChatGPT”.

Rreth suksesit të Mira Muratit, të lindur në vitin 1988 në Shqipëri ka shkruar këto ditë edhe gazeta Blick dhe disa media tjera zvicerane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *