Është e kotë të përpiqesh të bindësh me argumentë atë që merr para për të qenë kundër teje.
Por, Borrell në konferencën për shtyp qortoi palët për pamundësimin e arritjes së një agjende më ambicioze për aneksin. Borrelli aty tha për palën kosovare se ajo u tregua kokëfortë dhe joelastike gjatë gjithë ditës së sotme, duke mos lejuar të dilet përtej vijave të saj të kuqe.
Po të jetë se është pranuar zajednica nga pala kosovare, siç pretendojnë ata që paguhen për të mos kuptuar, atëherë nga na doli ky qortim për mungesë fleksibiliteti?
Tjetra, a po mendoni se befasisht komisioneri i BE-së nuk e di kuptimin e fjalës “self-management” dhe e ka ngatërruar këtë me fjalën “self-administration” apo “self-government”? E pra, këto janë tre terma të ndryshëm, që përshkruajnë gjëra të ndryshme. Vetëm i pari u përzgjodh të përmendet, jo rastësisht, te ky aneks. Pra, për komunitetin serb në Kosovë, self-management, jo self-administration e as self-government. Dhe kjo në aneks, jo në marrëveshje.
Në marrëveshje, te neni 2, shtetet i njohin njëra-tjetrës të drejtën për vetëvendosje. Self-determination pra, një term po ashtu i përcaktuar mirë, e që lidhet me mënyrën se si kanë krijuar shtetësi ish-kolonitë (dmth. jo proces “sui generis” por proces i stabilizuar ndërkombëtarisht që ia ka hapur rrugën drejt OKB-së shumë ish-kolonive, dhe mund t’ia hapë në të ardhmen edhe Kosovës). Kjo është një gjë tërësisht e re, e cila as nuk ka qenë në marrëveshjet e dikurshme, as nuk është publikuar nga ata që pretendonin se kishin draftet e marrëveshjes para publikimit të saj.
Titujt e agjensive mediale me kredibilitet, nga Reuters e gjetiu, sot po shkruajnë në tituj: Kosovo to launch talks on self management of Serbian communities. Po të ishte pranuar “zajednica” atëherë ç’nevojë ka “to launch talks”?
Por siç thamë në fillim, kur paguhesh që të mos kuptosh, nuk të ndihmojnë argumentët.
Përndryshe marrëveshja ka pika të mira e pika të vështira, potencialisht edhe problematike, por kjo kërkon seriozitet në trajtim, dhe diskutim vërtet të vëmendshëm ndaj pikëvështrimeve të ndryshme, jo keqpërdorim të gjithçkaje për të nxjerrë veten mirë e kundërshtarin keq.
Marrëveshja ende nuk është nënshkruar, pra nuk është përfundimisht obliguese sidomos për Serbinë, të cilës mbase, në një të ardhme jo të largët, edhe mund të mos i bëhet vonë fare për kapitullin 35 apo për integrimin në BE. Siç e ka dëshmuar me qëndrimin për sanksionet ndaj Rusisë apo me politikat e saj të armatimit, Serbia nuk është kushedi sa e interesuar për integrim euroatlantik.
Lexo po ashtu:  Rama: Pa u liruar 3 policët kosovarë nuk ka përparim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *