Sami Frashëri ishte një nga personazhet më të njohur dhe mendjet e ndritura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij intensive ai shkroi më shumë se 50 vepra, si fjalorë, enciklopedi, drama, vepra letrare etj., ndër të cilat edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila vlerësohet edhe si “Traktati politik i çështjes kombëtare shqiptare”.

Më poshtë po sjellim disa nga shprehjet më të bukura të Sami Frashërit:

Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë.

Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.

Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.

Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.

Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.

Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.

Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.

Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.

Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.

Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.

Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.

I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.

Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.

Lexo po ashtu:  "Gjallë je, nënoke? Edhe unë", Letër Nënës – Sergej Esenin

Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.

Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.

Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij ështe morali i përgjithshëm.

Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

Njeriu me sa të rrojë më shumë sheh dhe më shumë mëson.

Njeriu në të njëjtën kohë është edhe nxënës edhe mësues.

Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

Dajaku e bën të paedukuar njeriun e edukuar; të paedukuarit ia shton edhe më shumë atë.

Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.

Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.

Mos e qorto atë që ka rënë në greminë pse nuk i dëgjoi këshillat tuaja, as mos e këshillo përsëri. Po e nxorre nga gremina që ka rënë, atëherë ai panon këshillat e tua.

Lexo po ashtu:  Moment

Biseda lind nga mendimi; biseda pa mendim nuk eshtë bisedë, është grindje.

Aq sa ka nevojë personi me përvojë, por i paditur, për ndihmën e dijetarit, edhe dijetari i papërvoje ka po aq nevojë për ndihmën e atij që ka përvojë, por që nuk është i ditur.

Mëson shumë ai që plotëson çka di dhe përpiqet të përvetësojë çka nuk di, ai që le mangut çka di dhe çohet të mësojë gjëra të tjera, nuk mëson kurrëgjë.

Njeriu ka nevojë për arsim ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër që thahet pema kur është e njomë, po nuk u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri, sepse nuk i mbetet gjë për t’i shërbyer njerëzimit.

Idetë e mëdha formohen te shpirtërat e mëdhenj.

Edukimi nuk është për ta zhveshur njeriun nga natyra, por për të ushqyer moralin e tij brenda natyrës së tij.

Epokat që përmenden shkurt në histori, janë epokat më të lumtura të njerëzisë.

Vetëm opinioni publik është baza e lirisë, forca e edukimit, udhëheqës i qeverive.

Merita dhe talenti që qëndrojnë të heshtur dhe të fshehur në periudhën e tiranisë, fillojnë të ndriçojnë porsa lind drejtësia.

Modestia dhe thjeshtësia është një e mirë, të cilën çdo njeri dëshiron ta shikojë te tjetri, por nuk don ta ketë vetë.

Qeverisja e racës njerëzore me edukim është shumë më e lehtë se qeverisja me ligj.

Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapëseprapë i lirë është.

Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër.

Mendimi s’kuptohet nga sasia, por nga pesha; mendimi i një dijetari nuk mund të krahasohet me mendimin e një mijë injorantëve.

Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit.

Shumë rrallë del e mundur dhelpëria në luftë me nderin.

Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia; s’ka sukses ai që nuk has në vështirësi.

Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të edukuar dhe të mësuar.

Lexo po ashtu:  Vizioni 16-vjeçar i Elon Musk rikthen astronautët Amerikanë në hapësirë pas 9 vitesh

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

Ashtu sikundër që gratë të shumtën e herës mbajnë në dorë një pasqyrë për të rregulluar të metat e stolisë së tyre, edhe shoqëria njerëzore nuk duhet ta largojë nga sytë pasqyrën e diturisë e të shkencës dhe të përpiqet që të përmirësojë të metat që sheh.· Po të luajë mësuesi ç’ka nuk bëjnë nxënësit.

Nuk është për t’u çuditur po nuk u pa patriotizëm prej atyre që shiten si atdhedashës, sepse duke shitur herëpashere, natyrisht, u është sosur.

Dituria nuk është për të poshtëruar të paditurit e për t’u bërë kryelartë, por është për të pasur dhimbësuri për të paditurit, për t’i stërvitur ata sa të jetë e mundshme, që t’i bësh ata të përfitojnë nga dituria që ke.

Më i ligu i kopracëve është ai i diturisë, domethënë ai që nuk do të përfitojë njeri nga ato që di ai.

Elokuencë e vërtetë është të thuash plotësisht atë çka është për t’u thënë dhe të mos thuash gjë tepër saj.· Nuk i thuhet frikacak çdo njeriu që nuk është trim; ka shumë shkallë në mes trimërisë e frikës.

Turma është armike e arsyes dhe e së drejtës. Po t’i përshtatet një gjë arsyes dhe së vërtetës, tërheq përbuzjen e turmës; gjërat që nuk i mbështeten asnjë arsyeje dhe që janë në kundërshtim me të vërtetën, janë gjithmonë të pëlqyera nga turma.

Njeriu i mirë asnjëherë nuk arrin të hakmerret; derisa armiku i tij të jetë i fortë, nuk është në gjendje t’i bëjë gjë, kur do ta gjejë armikun të dobët, e mund mëshira dhe i ikën dëshira për t’u hakmarrë.

Lulja rritet me diell, por thahet nga vapa e madhe; njeriu edukohet me arsim, por rëndimi me mësime në fëmijëri jashtë forcës së tij e dërmon. Ashtu sikundër bima që ka nevojë për nxehtësi, ujë e freski, edhe njeriu bashkë me arsim dhe edukim ka nevojë edhe për zbavitje e shëtitje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *