Nga Kim Mehmeti

Kohëve të fundit është duke u shtruar edhe publikisht një pyetje e turpshme, perverse dhe përbuzëse për shqiptarët: mos vallë ne si popull kemi shkuar për lesh?!

Nuk e di nga ai guxim që të shtrosh një pyetje të tillë. Mbase ajo e shprehë dëshpërimin në rritje te populli ynë, te ky popull i cili kur i sheh dhe i dëgjon akademikët – si për shembull atë të kuvendit të Kosovës – si shajnë ashtu siç nuk u ka hije as banditëve të lagjes, rrugaçët nisin t’i duken si akademikë.

Është e vërtet se te ne shqiptarët në masë të madhe është shlyer kufiri i rrugaçërisë dhe ai i vlerave njerëzore, por megjithatë mos harroni se kjo shqiptari ka edhe akademikë të çmueshëm dhe të llojit të Rexhep Ismajlit, Eqrem Bashës, Hivzi Islamit… e nuk janë të gjithë të sojit të atij që në parlamentin e Kosovës shanë si rrugaç.

Pastaj është e vërtet se rinia shqiptare i braktisë trojet tona si kurrë më parë, por nuk duhet harruar se thuajse gjithmonë, ne kemi qenë si kopsht pa rojtarë, nga e cila lulishte kush ka mundur ka shkulë ndonjë filiz të porsambirë. Por megjithatë, ai kopsht kurrë nuk ka mbetur djerrinë e mbuluar me kullosa të këqija.

Lexo po ashtu:  Tha njëri - Torturë është mësimi i shqipes standarde...

Ky dëshpërim që na ka mbërthyer sot, ka të bëjë edhe me atë se të gjithë nga pak ndjehemi si pjesëtarë të spektakleve që promovojnë shthurje dhe amoral, apo pse na duket se rrënjët e ndershmërisë, fisnikërisë dhe vlerave shqiptare kanë hasur në gurishte që nuk i lë ta ushqejnë trungun kombëtarë.

Por mos iu dorëzoni dëshpërimit: ka kohë kur më të zëshëm janë akademikët që shajnë si ‘arabaxhi’, por megjithatë, shqiptarinë e mbajnë në këmbë ata që e kanë kuptuar se njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdesë me fytyrën që ia ka zgjedhur vetvetes – me atë të turpit, apo atë të njerëzores!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *