“Kompleksi i Edipit” është një koncept i prezantuar nga Sigmund Frojd, pjesë e teorisë së tij të fazave psiko-seksuale të zhvillimit, që përshkruan një dëshirë për përfshirje seksuale me prindin e gjinisë së kundërt, dhe një ndjenjë xhelozie dhe rivaliteti me prindin e së njëjtës gjini.
Kjo fazë e zhvillimit të konfliktit të madh, supozohet se ndodh tek djemtë e moshës 3-5 vjeçare. Ky term është emërtuar sipas personazhit kryesor të tragjedisë “Edip mbret” nga Sofokliu. Në këtë tragjedi të lashtë greke, Edipi braktiset nga prindërit e tij që kur ishte foshnje.
Më vonë, në moshë madhore, ai bëhet mbret i Tebës dhe pa e ditur vret babanë e tij dhe martohet me nënën e tij. Analogu femëror i termit psiko–seksual është “Kompleksi i Elektrës”, i quajtur kështu sipas një figure tjetër mitologjike tragjike që ndihmoi në vrasjen e nënës së saj.
Edipal është termi i përgjithshëm për të dy komplekset. Shpeshherë këto teori interpretohen si prirje e burrave për të zgjedhur gra që ngjajnë si nënat e tyre, ndërsa gratë zgjedhin burra që u ngjajnë baballarëve të tyre. Të dy komplekset u cilësuan si të diskutueshme që kur u prezantuan për herë të parë në publik në fillim të shekullit XX-të.
Kritikët e Frojdit thonë se ka shumë pak prova empirike që vërtetojnë vlefshmërinë e teorisë. Megjithatë, bazamenti i kësaj teorie konsiderohet ende si një gur-themeli i psikanalizës edhe sot e kësaj dite. Sipas Frojdit, zhvillimi i personalitetit në fëmijëri zhvillohet gjatë 5 fazave psiko–seksuale: fazat orale, anale, fallike, latente dhe gjenitale.
Në çdo fazë, energjia seksuale shprehet në mënyra të ndryshme dhe përmes pjesëve të ndryshme të trupit. Secila prej këtyre fazave psiko–seksuale, shoqërohet me një konflikt të veçantë që duhet zgjidhur për të kaluar me sukses dhe në mënyrë të shëndetshme në fazën tjetër.
Mënyra se si zgjidhet çdo konflikt, mund të përcaktojë personalitetin dhe marrëdhëniet e një personi në moshën madhore. Kompleksi Edipal, i prezantuar nga Frojdi në vitin 1899 në veprën e tij “Interpretimi i ëndrrave”, ndodh gjatë fazës fallike të zhvillimit (mosha 3-6 vjeç), një periudhë kur një fëmijë ndërgjegjësohet për dallimet anatomike seksuale, duke vënë në lëvizje konfliktin midis tërheqjes erotike, rivalitetit, xhelozisë dhe pakënaqësisë.
Në mënyrë të pandërgjegjshme, djali i vogël ndihet i lidhur seksualisht me nënën e tij. Zilia dhe xhelozia drejtohen ndaj babait, objekt i dashurisë dhe vëmendjes së nënës. Frojdi besonte se një djalë i vogël është i dënuar të ndjekë dëshirat e tij, në të njëjtën mënyrë siç u dënua të bënte edhe Edipi i Sofokliut.
Ndjenjat armiqësore ndaj babait shkaktojnë frikën nga tredhja, që është frika irracionale si ndëshkim për dëshirën ndaj nënës së tij. Për ta përballuar këtë ankth, i riu nis të identifikohet me babain, duke adoptuar qëndrime, karakteristika dhe vlera që babai i quan të tijat. Me fjalë të tjera, babai kalon nga rival në një model.
Pikërisht nëpërmjet këtij identifikimi me agresorin, djali zgjidh fazën fallike të zhvillimit psiko–seksual dhe e fiton “superegon” e tyre, një grup vlerash që e dominojnë mendjen e ndërgjegjshme të të rriturit. Në këtë proces, fëmija heq dorë më në fund nga ndjenjat seksuale ndaj nënës, duke i transferuar ato në figura të tjera femërore.
Por pasoja është se tejkalimi i Kompleksit të Edipit dhe reagimet që pasojnë, përfaqësojnë arritjen më të rëndësishme shoqërore të mendjes njerëzore, thotë Frojdi. “Kompleksi i
Edipit është bërthama e neurozave dhe përbën pjesën thelbësore të përmbajtjes së tyre. Ai përfaqëson kulmin e seksualitetit infantil, i cili, me pasojat e tij, ushtron një ndikim vendimtar në seksualitetin e të rriturve”- theksonte më tej ai.
Zhvillimi analog psiko–seksual i Frojdit për vajzat e vogla përfshin Kompleksin e Elektrës, që nis që në momentin që vajza kupton se i mungon penisi. Për këtë fajësohet nëna, dhe ajo bëhet objekt i inatit të vajzës. Në të njëjtën kohë, kjo e fundit zhvillon ndjenjat e dëshirës seksuale ndaj babait të saj.
Fakti që nëna merr dashuri nga babai, ndërsa ajo jo, bën që vajza të bëhet xheloze për nënën e saj, e cila tashmë shihet si rivale. Ashtu si djemtë e vegjël që duhet të kapërcejnë Kompleksin e Edipit, vajzat e vogla e zgjidhin këtë konflikt duke hequr dorë nga ndjenjat incestuale dhe rivaliteti, duke u identifikuar me nënën, dhe duke zhvilluar kësisoj superegon.
Megjithatë, Frojdi nuk ishte në gjendje të formonte një teori komplekse për zgjidhjen e konflikteve për Kompleksin e Elektrës, siç bëri për kompleksin e Edipit. Tek djemtë, zgjidhja e shtytjes Edipale motivohet nga frika e tredhjes. Por Frojdi nuk ishte në gjendje të gjente një nxitje po aq të fuqishme tek vajzat e vogla, edhe pse arsyetoi se ajo mund të motivohej nga shqetësimet për humbjen e dashurisë së prindërve të saj.
Edhe pse Kompleksi i Elektrës i atribuohet shpesh Frojdit, ai u propozua në fakt nga nxënësi i tij, Karl Jung. Frojdi arsyetoi se nëse konflikti që lind nga kompleksi Edipal nuk zgjidhet me sukses, kjo mund të shkaktojë “neuroza”, të cilat ai i përcaktoi si manifestime të materialit të pavetëdijshëm që prodhon ankth.
Djemtë mund të bëhen tepër konkurrues me burrat e tjerë, duke projektuar rivalitetin e tyre të fshehtë me baballarët e tyre dhe mund të fiksohen pas nëna, duke kërkuar gra që i ngjajnë asaj. Ndërkohë, vajzat që nuk e mposhtin zilinë e mospasjes së organit mashkullor mund të zhvillojnë një kompleks mashkulloriteti kur të rriten, duke pasur probleme me intimitetin me burrat në moshë madhore.
Pra, ajo mund të përpiqet të rivalizojë burrat duke u bërë shumë agresive. Meshkujt me të cilët ajo ndërvepron ngushtë i ngjajnë shpesh babait të saj. Për më tepër, duke qenë se identifikimi i vajzave me nënat e tyre është më i dobët se i djemve me baballarët e tyre (të cilët kanë ankthin e tredhjes), superegoja femërore është më e dobët dhe për rrjedhojë, identiteti i tyre si individë të veçantë, të pavarur është më pak i zhvilluar.
Frojdi e shpjegoi teorinë e tij të kompleksit Edipal duke përdorur një rast të vetëm studimor, atë të “Hansit të Vogël”, djalit 5-vjeçar që kishte fobi ndaj kuajve. Rreth moshës 3-vjeçare, Hansi i vogël tregoi interes për penisin e tij por edhe të meshkujve të tjerë, përfshirë kafshët. Nëna e tij e alarmuar e kërcënoi se do t’ia priste penisin nëse ai nuk ndalonte së luajturi me të. Por pikërisht në atë kohë, ai zhvilloi një frikë të panatyrshme nga kuajt. Frojdi arsyetoi se djali i vogël iu përgjigj kërcënimit të nënës së tij për tredhje duke pasur frikë nga kuajt dhe organet e tyre gjenitale të mëdha.
Fobia u zbut kur Hansi nisi të ndërvepronte me kuajt, kur këtyre iu vendos mbi hundë një parzmore e zezë që kishte qime të zeza rreth gojës, gjë që babai i tij sugjeroi se simbolizonte mustaqet e tij. Në interpretimin e Frojdit, frika e Hansit nga kuajt përfaqësonte në mënyrë të pandërgjegjshme frikën e tij ndaj babait të tij.
Megjithëse rasti i studimit të Hansit të Vogël ilustron në mënyrë të përsosur (dhe shumë të përshtatshme) teorinë e Frojdit për Kompleksin e Edipit, ky është një rast i vetëm dhe i pamjaftueshëm për të përgjithësuar rezultatet për popullatën e gjerë.
Për më tepër Frojdi e takoi Hansin vetëm një herë, dhe informacioni rreth tij i erdhi vetëm nga babai i Hansit, i cili ishte një admirues i hapur i punës së Frojdit. Edhe nëse Hansi (emri i vërtetë i të cilit ishte Herbert Graf) vuante vërtet nga një Kompleks i Edipit, kjo nuk do të thotë se ai është universal siç pretendonte Frojdi.
Për shembull, në vitin 1929, shkencëtari polako-britanik Bronisllav Malinovski, që konsiderohet gjerësisht si babai i antropologjisë moderne, kreu një studim etnografik tashmë të famshëm në ishujt Trobriand në Oqeani, ku baballarët nuk janë aspak të përfshirë në disiplinimin e bijve të tyre.
Në këtë shoqëri, marrëdhënia midis babait dhe djalit ishte gjithmonë e mirë. Disiplinori në popullatat Trobriand është xhaxhai, që e hdh poshtë Kompleksin e Edipit. Edhe shkrimtarja psikoanalitike Klara Tompson kritikoi qëndrimin e Frojdit ndaj grave, që sipas saj është i njëanshëm.
Ideja e Frojdit se zilia e penisit ka bazë biologjie, mund të shpjegohet më mirë me zilinë e përgjithshme që kanë vajzat ndaj djemve, sepse shpeshherë i mungon i njëjti nivel lirie në moshën e re dhe mundësitë në moshë madhore. Dhe e gjitha kjo do të thotë se kompleksi Edipal i Frojdit ka shumë të meta dhe në rastin më të mirë, mund të zbatohet për një përqindje të vogël të popullsisë së përgjithshme. / ZMEscience – bota.al