Policia e Kosovës njoftoi se po e menaxhon situatën e krijuar nga protestat e serbëve në veri, ndërsa tha se protestuesit kanë shfaqur dhunë.

Në një komunikatë drejtuar mediave, Policia tha se në Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan, po zhvillohen protestat, derisa para objektit të komunës së Zveçanit është tentuar kalimi i kordonit të sigurisë, për t’u futur me dhunë në objekt.

“Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi i sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës. Sot, në veri të vendit, është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe detyrave të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin policor.
Policia i ka ftuar qytetarët që të ketë vëmendje të shtuar gjatë thirrjeve të protestave, e të protestojnë qetë “dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”.

Lexo po ashtu:  “Aty ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta”. Thënie nga Leonardo da Vinci që do t’ju fusin thellë në mendime

“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveçanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll. Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet tutje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *