Policia e Kosovës, ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi dje në Zveçan.

Kurti ka shpërndarë një video, ku shihet kjo sasi e armatimit, e cila u ekspozua sot në Mitrovicë.

Ai tha se kjo sasi tregon për përmasat e aksionit të planifikuar si dhe pasojave që u parandaluan, përcjell MekuliPress.com

Tutje, Kurti ka shkruar se tashmë Serbia përveç agresionit që ka ndërmarrë ndaj Kosovës, duke i rrëmbyer tre policët tanë, tani ka filluar të organizojë edhe sulme terroriste.

Njoftimi i z. Kurti:

“Mbrëmë, Policia e Kosovës (PK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë parandaluar një sulm terrorist duke zbuluar në Zveçan, 100 metra afër objektit të Komunës, një veturë me shumë armë, municion e pajisje të ndryshme ushtarake.

Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara.

Lexo po ashtu:  21 vite nga ofensiva ushtarake e Serbisë në Jabllanicë

Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste.
Unë i jam falënderues PK-së dhe AKI-së për punën që po bëjnë gjithë këto kohë në ruajten e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe në parandalimin e krimit e terrorizmit në atë pjesë të Republikës së Kosovës.”

https://www.facebook.com/watch/?v=816854683288628

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *