Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka ripërseritur se armët nga Serbia po kontrabandohen në Kosovë. Sipas saj këta persona duhet të hetohen nga kush po financohen dhe kush po i organizon.
Kearns ka thënë se në takimin me kryeministrin Kurti ka folur për hapat e mëtutjeshëm për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës, ajo ka theksuar se Beogradi nuk është e interesuar për shtensionim të situatës, ndërkaq ka shtuar se nuk e pranon siç ka thënë “ Bosnjëzimin e Kosovës” dhe se është kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ajo ka konfirmuar deklaratën e saj se armë nga Serbia po hyjnë në veriun e Kosovës.
“Burimet ushtarake kanë qenë shumë të qartë me mua se ka armë që po vijnë përtej kufirit. Deklarata e KFOR-it nuk thotë që nuk ka armë matanë kufirit, duke kaluar nga kufiri, nga Serbia dhe Kosova veriore, sepse ata e dinë që ka. Ata kanë folur specifikisht për incidentin e vitit 2022 kur KFOR-it i ishte thënë se armët që kishin ardhur në ambulanca dhe ishin vendosur në kisha. Tash, unë ju besoj shumë njerëzve që kam folur me ta, që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe i kanë parë ata vet dhe ne të gjithë e dimë, siç e kemi parë dhunën e tmerrshme ndaj ushtarëve të KFOR-it së fundmi dhe se ka municione duke u sjell në veri të Kosovës”, ka thënë Kearns për RTV21