Shkrimtari çek, Milan Kundera, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare në Paris. Një nga romancierët më të mëdhenj të fundit të shekullit të njëzetë, Kundera ka lindur më 1 prill 1929 në Brno, Çeki. Prej vitit 1975, ai jetonte në Paris, pasi u largua nga Çekosllovakia e atëhershme, e cila ishte nën regjimin komunist. Ai njihet për romanet e errëta, provokuese dhe me nota satirike. Ai përktheu vepra të poetit francez, Guillaume Apollinaire, dhe shkroi edhe tregime të shkurtra. Kundera dha mësim në një shkollë filmi, ku mes studentëve të tij ishte edhe Milos Forman, regjisori që vite më pas u nderua me Oscar.

Një nga veprat e tij të para, romani “Shakaja”, i botuar në 1967, flet për një të ri të përjashtuar nga universiteti dhe Partia Komuniste për një shaka të pafajshme. Në Francë, Kundera dha mësim në Universitetin e Rennes. Atij iu hoq shtetësia çeke në vitin 1979, pas botimit të “Librit të të qeshurit dhe harresës”. Ai u bë shtetas francez në vitin 1981. Deri në vitin 1989, kohë kur u zhvilluar Revolucioni i Kadifenjtë, regjimi komunist në Çekosllovaki i kishte ndaluar librat e tij. Vepra e tij më e famshme, “Lehtësia e padurueshme e qenies” u botua në 1984 dhe u ekranizua nën interpretimin e Juliette Binoche dhe Daniel Day-Lewis në 1987. Romani është një rrëfim për lirinë dhe pasionin, si në nivel individual ashtu edhe në atë kolektiv, me një qasje që kundërshton Pranverën e Pragës dhe pasojat e saj në mërgim.

Lexo po ashtu:  Çfarë do të thotë të shohësh ëndërr sikur të bien dhëmbët

Edhe pse u kritikua për mënyrën si e kishte përshkruar atdheun e tij dhe për vendimin për të ndaluar përkthimin e librave të tij nga frëngjishtja në gjuhën çeke, Kundera e rifitoi shtetësinë çeke në vitin 2019, plot 30 vjet pasi ish-Çekosllovakia u shkëput nga sundimi komunist përmes Revolucionit Kadife të vitit 1989, dhe 26 vjet pas ndarjes paqësore të vendit në Republikën Çeke dhe Sllovaki në 1993. Kundera ka qenë shpesh në listën e favoritëve për Nobel, por nuk e fitoi kurrë atë. Ai ka mbajtur një profil të ulët dhe rrallë është shfaqur në media.

Megjithëse veprat e tij të hershme poetike kanë nota të dukshme pro-komuniste, romanet e tij i shpëtojnë klasifikimit ideologjik. Vetë Kundera ka insistuar vazhdimisht se është romancier dhe jo shkrimtar i motivuar politikisht. Stili i trillimit të Kunderës, i ndërthurur me digresionin filozofik, është frymëzuar shumë nga romanet e Robert Musil dhe filozofia e Nietzsche-s. Shkrimtari çek u frymëzua nga autorë të Rilindjes si Giovanni Boccaccio, Rabelais dhe ndoshta më i rëndësishmi, spanjolli Miguel de Cervantes. Ndikime pati edhe nga Hermann Broch, Franz Kafka dhe Martin Heidegger. Fillimisht ai shkroi në gjuhën çeke, por që nga viti 1993 i ka shkruar romanet e tij në frëngjisht.

Lexo po ashtu:  Prania juaj është më e rëndësishme për fëmijët, se sa pasuria

“Jo vetëm letërsia çeke, por edhe letërsia botërore ka humbur një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë dhe njëkohësisht më të përkthyer,” tha Tomas Kubicek, drejtor i bibliotekës Kundera për TV publik çek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *