Nga John Thornhill

Reagimi i astronautit Buzz Aldrin ndaj teoricienit të konspiracionit, që i tha atij se zbarkimi i njeriut në Hënë nuk kishte ndodhur kurrë ishte i kuptueshëm, në mos dhe i arsyeshëm. Astronauti e goditi me grusht në fytyrë.

Pak gjëra në këtë jetë janë më të lodhshme sesa përfshirja në debatin absurd me ata që refuzojnë të pranojnë provat kokëforta, dhe çdo gjë që hedh poshtë besimet e tyre konspirative, edhe pse dhuna nuk është sigurisht reagimi i rekomanduar në këtë rast.

Mund të jetë më e lehtë t’i injorosh teoricienë të tillë të konspiracionit, si njerëz të çuditshëm por të padëmshëm. Por ndërsa kjo është joshëse, në shumë raste është një sjellje e gabuar.

Sikurse e kemi parë gjatë pandemisë së Covid-19, si dhe gjatë sulmit të dhunshëm ndaj Kongresit Amerikan javën e kaluar, teoritë e konspiracionit mund t`a infektojnë botën reale, duke sjellë efekte vdekjeprurëse.

Përgjigja jonë ndaj pandemisë do të sabotohet, në rast se lëvizja kundër vaksinave do të arrijë të bindë shumë njerëz që të mos marrin një vaksinë anti-Covid. Demokracitë nuk do të qëndrojë dot në këmbë, nëse shumë votues refuzojnë të pranojnë rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve.

Ndaj, ne duhet t’i hedhim me vendosmëri poshtë teoritë e paprovuara të konspiracionit. Por si bëhet kjo?Gjëja e parë që duhet pranuar është se skepticizmi është një virtyt i njeriut, dhe shqyrtimi kritik i çdo lloj gjëje është thelbësor. Qeveritë dhe korporatat mund të komplotojnë për të bërë gjëra të këqija.

Lexo po ashtu:  Ministrja Haxhiu paralajmëron ligj të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

I fuqishmi duhet të mbajë gjithnjë përgjegjësi për ato që bën. Një shembull kryesor është lufta e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Irakut në vitin 2003, për të shkatërruar armët e shkatërrimit në masë, të cilat në fakt nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.

Së dyti duhet ritheksuar rëndësia e ekspertëve, ndërsa të pranohet se ndonjëherë ka një spektër të gjerësh mendimesh që vijnë prej tyre. Shoqëritë duhet t’i bazojnë vendimet e tyre në pikëpamjet e ekspertëve nga shumë fusha, si mjekësia dhe ndryshimi i klimës, përndryshe nuk ka kuptim që të zhvillohet një debat.

Heqja dorë nga pikëpamjet e ekspertëve, siç bëri Michael Gove gjatë fushatës për referendumin e Brexit, u bë me qëllim për të shkatërruar bazat e një shoqërie racionale. Asnjë pasagjer me mend në kokë, nuk do të hipte në një avion të drejtuar nga një pilot i pakualifikuar.

Në raste ekstreme, shoqëritë mund të vendosin se teoritë e konspiracionit janë shumë të dëmshme, saqë duhet t’i shtypin ato. Për shembull në Gjermani, mohimi i Holokaustit është një krim i ndëshkueshëm me burg ose gjobë. Platformat e mediave sociale, që nuk e fshijnë një përmbajtje të tillë brenda 24 orëve nga momenti i postimit gjobiten.

Madje, në Suedi qeveria po krijon një agjenci kombëtare të mbrojtjes psikologjike për të luftuar keqinformimin në internet. Një studim i botuar këtë javë nga Instituti i Internetit i Oksfordit, zbuloi se “propaganda në rrjet” po përhapet tashmë në 81 vende të botës.

Lexo po ashtu:  Idiotët dhe shtypi i përgjegjshëm

Quassim Cassam, një profesor filozofie në Universitetin Uaruik, që ka shkruar edhe një libër mbi këtë temë, thotë se të parit e teorive të konspiracionit si një propagandë politike, është mënyra më e dobishme për t’i kuptuar.

Sipas tij, shumë teori konspirative mbështesin një qëllim të nënkuptuar, ose të qartë ideologjik:për shembull kundërshtimin e kontrollit të armëve, antisemitizmin ose armiqësinë ndaj qeverisë federale. Ajo që ka rëndësi për teoricienët e konspiracionit nuk është nëse teoritë e tyre janë të vërteta, por nëse ato janë joshëse për të tjerët.

Pra ashtu si me propagandën, teoritë e konspiracionit duhet të kundërshtohen pa reshtur, kur ato propagandohen shumë në publik. Por kur ato përhapen nga një njeri shumë i pushtetshëm si presidenti i SHBA-së , kjo përbën një problem më vete.

Në mesin e polemikave të mëdha, Twitter dhe Facebook, kanë pezulluar llogaritë e Donald Trump. Por profesor Cassam thotë:“Trump është një mega-fabrikë e keq-informimit. Ju mund ta dëboni atë nga disa platforma, dhe t’i disiplinoni ‘anën e ofertës’. Por sërish do të keni nevojë për t`i adresuar ‘anën e kërkesës’.

Në këtë aspekt, shkollat ​​dhe universitetet duhet të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar studentët të dallojnë faktet nga trillimet. Shkencëtarët e sjelljes njerëzore, thonë se është më efektive të demaskosh që në fillim një teori konspirative – duke u dhënë mundësi njerëzve që t`a hedhin poshtë atë – sesa kjo gjë të bëhet më vonë.

Lexo po ashtu:  Meta kundër minishengenit, vlerëson paraqitjen e Kurtit në Munih

Ç’montimi i një teorie të tillë, i shërben edhe një qëllimi tjetër. Që nga viti 2019, ekzistojnë mbi 188 site që kontrollojnë faktet që publikohen në internet, në më shumë se 60 vende të botës. Aftësia e tyre për të kontrolluar fakte në çdo debat, mund të ndihmojë në lëkundjen e atyre që janë kureshtarë mbi teoritë e konspiracionit, edhe nëse nuk mund t’i bindin besimtarët e vërtetë të këtyre teorive.

Nën një presion të madh publik, platformat e mediave sociale po e filtrojnë gjithashtu gjithnjë e më shumë përmbajtjen e dëmshme, dhe po i orientojnë përdoruesit drejt burimeve të besueshme të informacionit, siç janë këshillat e institucioneve shëndetësore për Covid-19.

Madje, disa aktivistë kanë folur për një “infiltrimin njohës” të grupeve ekstremiste, duke sugjeruar që agjentët qeveritarë duhet të ndërhyjnë në forumet e ndryshme në internet për të demaskuar teoritë e komplotit. Kjo gjë nuk ka shumë gjasa qëtë mund të funksionojë në Kinë, por ka të ngjarë të japë rezultate konkrete tek demokracitë perëndimore, duke shkaktuar një shpërthim të teorive të reja të konspiracionit.

Tek e fundit, ne nuk mund t’i bëjmë njerëzit të arsyeshëm mbi besimet që ata nuk i kanë arsyetuar vetë. Por ne mund dhe duhet t’i dënojmë ata që përfitojnë nga irracionaliteti i dëmshëm. Dhe ka një metodë të provuar tashmë për të kundërshtuar politikanët që shfrytëzojnë teoritë e konspiracionit:dëbojini ata nga postet që mbajnë. /

“Financial Times”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *