Qosja për Demaçin: Politika paqësore propagandoi kundër tij, ishte autoritet politik e moral

Rexhep Qosja, një nga figurat më të njohura të albanologjisë dhe publicistikës në Kosovës, ka ripublikuar në profilin e tij në Facebook, një shkrim mbi figurën e Adem Demaçit, në nderim të pesë vjetorit të ikjes për në amshim të Demaçit.

Në shkrimin e tij (që ishte mbajtur në vitin 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes), akademik Qosja flet mbi mungesën e nderimit shtetëror ndaj personalitetit të Demaçit. Në fakt, në fillim të shkrimit, Qosja i thur lavde Demaçit, duke e cilësuar si autoritet të madh moral e politik e kulturor.

“Mund të thuhet kështu sepse Adem Demaçi është autoritet i madh, i pakrahasuar me askënd tjetër në Kosovë para tij dhe pas tij: autoritet politik, kulturor e moral. Dhe, ky autoritet me kohë është bërë autoritet gjithëkombëtar dhe është bërë autoritet i tillë sepse është ndërtuar mbi përkushtimet e tij jo ndaj një, por ndaj disa veprimtarive kombëtare: ndaj krijimtarisë letrare, ndaj publicistikës, ndaj veprimtarisë politike.” – shkruan Qosja.

Lexo po ashtu:  Olaf Scholz përgënjeshtron izolimin e imagjinuar në Tiranë të Kosovës

Pas lëvdatave, Qosja nis kritikat. Por jo për figurën e Demaçit. Qosja i kritikon të gjitha pushtetet, të cilat, sipas Qosjes, nuk e nderuar si e sa duhet Demaçin. Në shkrimin e tij, Qosja e kritikon edhe politikën e viteve 90-ta që udhëhiqej nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Qosja vlerëson se gjatë viteve 90-ta, kishte përpjekje të gjithfarshme, përfshirë propagandë gojore të palejueshme, nga ana e atyre “që po bënin të ashtuquajturën politikë paqësore” për të zhvleftësuar autoritetin e Demaçit.

“Më vonë, në kohën e veprimtarisë së një vargu partish shqiptare në Kosovë prej fillimit të vitit 1990 e deri në vitin e çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, udhëheqjet partiake të këtyre partive, që po bënin të ashtuquajturën politikë paqësore, do t’i përgjigjen me drojë të madhe prej autoritetit të Adem Demaçit dhe me përpjekje të gjithfarshme me shkrime në gazetat e kontrolluara prej tyre dhe me propagandë gojore të palejueshme me çka synohej zhvlerësimi i autoritetit dhe i meritave të tij! Po të lexohen sot gjithë ato që në gazeta janë shkruar kundër tij do të mund të bindemi se sa e paskrupuj ishte droja prej mundësisë që Adem Demaçi të ngrihej në rolin që në sytë e popullit në të vërtetë ishte: në rolin e prijësit të Lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!” – shkruan Qosja.

Lexo po ashtu:  Dita e gjuhës amtare. Ta ruajmë gjuhën shqipe, amanet!

Akademiku Qosja e krahason jetën pas burgut të Demaçit me atë të Nelson Mandelës, luftëtar kundër apartheidit në Afrikën e Jugut, duke e vënë në spikamë që për dallim nga Mandela i nderuar me gjithfarë titujsh respekti, Demaçi nuk ishte nderuar njësoj.

Madje, për këtë temë, Qosja e kritikon edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku është vetë anëtar.

“As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe vetje pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin!

As gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të Kosovës së çliruar Adem Demaçin nuk e bënë as deputet të përhershëm siç janë bërë në botë disa autoritete të mëdha kombëtare, nuk e bënë as deputet katërvjeçar, as kryetar të Kuvendit të Kosovës, as kryeministër e as kryetar të Kosovës! U bënë deputetë, kryetarë të Kuvendit, kryeministra, kryetarë të Kosovës vetje, që s’i kanë dhuruar asnjë pikë djersë lirisë së Kosovës, që s’i kanë kushtuar asnjë orë e asnjë fjali pavarësisë së Kosovës, por s’u bë Adem Demaçi!” – shkruan tutje z. Qosja.

Lexo po ashtu:  O Captain! My Captain!

Në fund, akademiku i njohur e tregon edhe arsyen që sipas tij mungoi nderimi për Demaçin.

“Por jo vetëm kaq. Sjelljet e këtilla përjashtuese ndaj Adem Demaçit ta themi kryetar i Kosovës i nxiti shumë më tepër droja prej etikës së tij politike me të cilën ai do të parandalonte privilegjet, korrupsionin, zhvatjet, lukset, pasurimin e lehtë, të shpejtë, të kundërligjshëm, e të këqijat e tjera në institucionet shtetërore, duke e bërë përgjegjshmërinë jo vetëm kulturë por edhe ligj të pashmangshëm në politikën shqiptare.” – vazhdon Qosja.

Akademiku Qosja shkruan se ata që nuk e nderuan Demaçin, nuk i mbërrijnë atij as deri te gjunjët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *