Sot me 6 gusht mbushen plot 30 vjet nga vdekja e Esad Mekulit.

Ja një poezi e fuqishme nga poeti shqiptar Esad Mekuli

Do të vdesësh, kujto!

Prijëtarëve

Në çastin më të lartë
të lavdit e të nderit,
hapi sytë- mos ia tepro;
para se të shohësh veten
baras me perënditë-
se do të vdesësh – kujto!

Borxhli je prore ndaj atyre
që besimin njëherë ta dhanë
në drejtësi e barazi qëndro;
urtia e mirësia, jo topuzi
pushtetin e ruan, e mban
Se do të vdesësh, kujto!

(Esad Mekuli-Sat Nokshiqi)

Kush është Esat Mekuli?

Esad Mekuli është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.

Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos.

Lexo po ashtu:  Windows Defender e konsideron Google Chrome si të dyshimtë

Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë. Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar traktin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve. Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës Beogradski student. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin Vendeta – hakmarrja, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: Venac – Beograd, Mlladost – Zagreb, Podmladak jadranske Staze – Split, Granit – Podgoricë, Novi Behar – Sarajevë, Student – Beograd e të tjera.

Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Në fund të vitit 1943 ai i bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane Lirija.

Lexo po ashtu:  Baba ne ikëm, ... Shtëpinë e braktisëm

Edhepse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe Rilindja e pastaj themeloi revistën letrare Jeta e Re ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë. Megjithatë, edhe vetë shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: Rilindja, Zëri i rinisë, Fjala, Pionieri, Përparimi, Shëndeti në Prishtinë, Flaka e vëllazërimit të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: Jedinstvo e Stremljenje të Prishtinës, Borba, Politika, Književne novine, Mostovi të Beogradit, Pobjeda dhe Stvarenje të Pdgoricës, Bagdalla të Krushevcit, Republika dhe Forum të Zagrebit. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas.

Lexo po ashtu:  Misteret e Bibliotekës Françeskane në Shkodër

Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.

Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *