Shkruan: Afrim Fanda

Që parulla “ta heqim kushtëzimin 20% për përdorimin e gjuhës shqipe“ është një mashtrim dhe tallje publike e partive shqiptare mercenare me shqiptarët në ish IRJM, aq sa ofendon inteligjencën e një popullsie të tërë, nuk do diskutim fare. Dhe mashtrimi nuk fillon sot, por që në vitin 2001 kur u votua si amandament ne kushtetutën e vitit 2001 dhe duke vazhduar në vitin 2019, me votimin e ligjit „për përdorimin e gjuhëve“, i cili barazon gjuhën shqipe, një ndër tre gjuhët më të vjetra në botë, 6.000 deri 8.000 vjet të vjetër, e folur nga popullsia autoktone po aq e vjetër, që përbën së paku 30% të banorëve në këtë shtet, me gjuhën e 3.98% turqve, 2.34% romëve, 1.18% serbëve, 0.87% boshnjakëve dhe 0,44% vllehëve.  Madje, duke e trumbetuar atë gjithë pompë, pa u skuqur fare, si një sukses të madh,  si ligj „për përdorimin e gjuhës shqipe“.

Skuqet i pacipi!?

Që është një lojë e partive mercenare shqiptare,  po aq antishqiptare dhe transparente sa ajo e dorëheqjeve „të kushtëzuara“ komike të ministrave të BDI, të dyja të koordinuara me LSDM dhe VMRO dhe në shërbim të interesave të tyre, për t’ua larguar vëmendjen e shqiptarëve nga mungesa e statusit të merrituar kushtetues, as kjo nuk do diskutim fare. Dhe për këtë, më së miri dëshmon deklarimi i kryeministrit të atëhershëm, Zoran Zaev, i cili me rastin e votimit të ligjit, me të drejtë siguroi opinionin maqedonas, se „nuk rrezikohet pozicioni kushtetues i gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik si gjuhë zyrtare në gjithë territorin, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare…“. Ashtu siç dëshmon këto ditë edhe gatishmëria „e papritur“, e shprehur publikisht, e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për të „fshirë“ 20% nga Kushtetuta, por e kushtëzuar me heqjen edhe të parimit të Badinterit dhe Balanserit. Pikërisht ai i cili në janar të vitit 2018, ligjin për gjuhët e quajti antikushtetues sepse rrezikon karakterin unitar të shtetit, dhe alarmonte për përdorimin e gjuhës shqipe aty ku shqiptarët jane më pak se 20%!

Lexo po ashtu:  Sinqeriteti/ Haradinaj për Asociacionin: Nuk është produkt i Kurtit, përgjegjës janë dy partitë nënshkruese

Por „dhemb“ indiferenca e madje edhe përkrahja e këtij mashtrimi nga institucionet dhe partitë e shtetit shqiptar dhe të Kosovës. Ndaj, të drejtat e munguara kolektive të së paku 30% shqiptarëve autoktonë, qe me kushtetutën e vendit trajtohen si pakice e ardhur, i barazojnë me „të drejtën“ e „kombit maqedonas“, të krijuar me vendimet politike të Partisë Komuniste Serbe më 2 gusht 1944 në mbledhjen e KAÇKM-së („ASNOM-it“), për të përvetësuar gjuhën dhe historinë bullgare, identitetin maqedonas dhe territoret shqiptare. Duke injoruar faktin historik se janë pikërisht vendimet e „ASNOM-it“ që kushtetuta e ish IRJM konsideron për themele të shtetit në preambulën e saj, që suprimuan me gjak të drejtën e shqiptarëve për shtet, administratë, arsim, kulturë … në gjuhën shqipe, të drejtë të cilën e gëzonin deri në vitin 1944. Ndaj ju sugjerojnë shqiptarëve në ish IRJM, që të drejtat e tyre t’i kërkojnë krah për krah me „maqedonasit“, agresorët e tyre, duke luftuar me bullgarët në mbrojtje të identitetit të përvetësuar maqedonas, për hir të integrimit në BE!?

E vërteta është se „heqja“ e kushtëzimit 20% për përdorimin e gjuhës së shqiptarëve, të cilët përveç „popullit maqedonas“, edhe në preambulën e ndryshuar pas luftës së 2001, bashkë me të tjerët, cilësohen si „pakica“ – „qytetarë të cilët jetojnë brenda kufijve të saj („Maqedonisë“), të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë“, nuk avancon aspak te drejtat kolektive të shqiptarëve, mes tjerash, as të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Lexo po ashtu:  Është ambicie e imja, që me dhjetë sentenca, të them atë, që të tjerët thojnë me libra të tërë.

E vërteta është se në shtetet unitare, siç është ish IRJM, ka vetëm një gjuhë zyrtare. Është pikërisht numri i gjuhëve zyrtare që njihen në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar, dallimi thelbësor mes shteteve unitare dhe federale, në lidhje me gjuhët zyrtare! Ndaj nuk ka asnje shembull në Europe të një shteti unitar me më shumë se një gjuhë zyrtare. Ndaj me kaq dëgjueshmëri dhe përpikmëri, partitë shqiptare mercenare në ish IRJM shmangin çdo diskutim që lidhet me karakterin unitar të shtetit të ish IRJM, e gjitha kjo në pajtueshmëri të plotë me insistimin e partive “maqedonase” që karakteri unitar i shtetit te jete i padiskutueshëm!

E vërteta është se zhurma për të drejtën e përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e ndarë atë nga të drejtat e tjera kolektive, po aq të rëndësishme dhe të pandashme nga kjo e drejtë, është e qëllimshme dhe jo e sinqertë, vetëm sa për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Ndërkohë që ata nuk kanë nevojë vetëm për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por për autonomi dhe vetëqeverisje, për një përfaqësim dhe ndikim real politik përmes qeverive rajonale dhe qendrore, për të marrë vendime për të gjitha çështjet me rëndësi, si gjuha, kultura, arsimi dhe politikat lokale që prekin drejtpërdrejt komunitetin e tyre. Për të  ruajtur dhe promovuar kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e tyre të veçantë dhe për të mbrojtur identitetit e tyre kulturor nga asimilimi ose margjinalizimi. Për të ushtruar shtetin e së drejtës dhe për të luftuar korrupsionin alarmant të përfaqësuesve të tyre politikë në shërbim interesave të partive “maqedonase”, dhe në këtë mënyrë për të kthyer besimin në shtet, të humbur që nga themelimi. Për një shpërndarje të barabartë të burimeve dhe mundësive, për të hartuar programe zhvillimore ekonomike për zhvillimin e infrastrukturës, për të krijuar një mjedis të favorshëm biznesi, për tërheqjen e investimeve në mënyrë të pavarur, për të tërhequr kompani, industri dhe investime që përputhen me fuqitë e tyre ekonomike… E gjitha kjo,  për të penguar margjinalizimin e shprehur dhe eksodin alarmant të të rinjve, dhe për të kthyer ata qe tanimë kanë ikur.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët po presin që Lulzim Basha tu flasë për veten, jo për ta

E vërteta është se vetëm sistemi qeverisës federativ/konfederativ mund të akomodojë  të drejtat e munguara kolektive  dhe nevojat e ndryshme të shqiptarëve si një ndër dy grupet më të mëdha etnike në vend, e brenda këtyre të drejtave edhe të drejtën për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes.

E dinë këtë gjë partitë shqiptare, institucioniet e shteti shqiptar dhe ato të shtetit të Kosovës!? Sigurisht që po! Por cila është arsyeja që heshtin, e akoma më keq lejojnë, ushqejnë dhe përkrahin këtë tallje të partive shqiptare me shqiptarët në ish IRJM!?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *