Historiani i lashtë grek, Herodoti, është një ndër më të famshmit në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet zakonisht si “Babai i Historisë”, dhe vlerësohet si personi i parë që shkroi një përshkrim të plotë dhe sistematik të çështjeve njerëzore.

Vepra e tij kryesore “Historitë”, ishte një përshkrim i detajuar i luftërave greko-persiane që ndodhën në fillim të shekullit V-të Para Krishtit, dhe ishte hera e parë që një shkrimtar kishte realizuar ndonjëherë një studim aq sistematik dhe të plotë të së kaluarës apo ishte përpjekur të shpjegonte shkak-pasojën e ngjarjeve të saj.

Pas Herodotit, analiza historike u bë një pjesë e pazëvendësueshme e jetës intelektuale dhe politike. Veprat pioniere të Herodotit në fushën e historisë janë studiuar prej shekujsh, dhe vazhdojnë të jenë me interes për studiuesit edhe sot, si për përmbajtjen, po ashtu edhe për trashëgiminë e tyre që vazhdon deri në ditët tona.

Herodoti lindi në vitin 484 Para Krishtit Halikarnasus, që ndodhej në qytetin e sotëm Bodrum në Turqi. Ai ishte anëtar i një familjeje të shquar dhe me ndikim dhe mori një arsimim të shkëlqyer. Dihet që ishte djali i Likses dhe Drios, dhe vëllai i Teodorus. Po ashtu kishte miqësi me Panianis, një poet epik i famshëm për atë kohë.

Në atë kohë, vendlindja e tij ishte pjesë e Perandorisë Persiane, dhe besohet se Herodoti u internua prej andej nga tirani Ligdamis, dhe jetoi më pas në ishullin e Samosit (ku mësoi dialektin jonian), derisa u rikthye në vendlindje për të marrë pjesë në revoltën që e rrëzoi nga froni Ligdamisin.

Në shekullin V-të para Krishtit, superfuqia e parë në botë, Perandoria Persiane, hyri në luftë kundër një koalicioni qytetesh dhe shtetesh në kufirin e saj perëndimor. Ishte fillimi i Luftës Persiane. Ajo luftë u regjistrua deri në detaje nga historiani i parë në botë, Herodoti.

Lexo po ashtu:  Parathënie për librin "Ndjesia e Aromave" të Arjola Kondakçiu

Ai e kaloi gjithë jetën duke punuar mbi kryeveprën e tij, Historitë, një tregim i detajuar i Luftërave Greko-Persiane që ndodhën midis viteve 499-449 Para Krishtit. Pjesa më e madhe e punës së Herodotit i kushtohet ngjarjeve para këtyre luftërave, dhe një pjesë të konsiderueshme e historive përqendrohen në ngjarjet që ndodhën midis vitit 550 Para Krishtit dhe Betejës së Maratonës në vitin 490 Para Krishtit.

Po ashtu, vepra përshkruan jetën e mbretërve të shquar dhe betejave të tjera të famshme si Termopile, Artemisium, Salaminës, Plataeas dhe Mikalës. Historitë janë shkruar në dialektin jonian të greqishtes së vjetër. Kur vdiq Herodoti, redaktorët ndanë “Historitë” në nëntë libra, ku secili përmbante një temë të ndryshme duke përfshirë origjinën e konfliktit, betejat e ndryshme dhe pasojat.

Ndonëse Herodoti nuk ishte personi i parë që shkroi mbi Luftërat Greko-Persiane, ai ishte i pari që bëri një përshkrim gjithëpërfshirës dhe sistematik të ngjarjeve, duke e bërë atë të konsiderohej gjerësisht si “Babai i Historisë”. Ky titull iu dha atij nga oratori i lashtë romak Ciceroni.

Dhe nga kryevepra e Herodotit vjen edhe kuptimi modern i fjalës “histori”. Pra Herodoti ishte historiani i parë që u përpoq të regjistronte një rrëfim gjithëpërfshirës dhe të besueshëm të së kaluarës, në vend të historive apo legjendave, dhe është i njohur për përdorimin e një game të gjerë burimesh, përfshirë vëzhgimet personale, intervista dhe regjistrimet e shkruara.

Atij i atribuohet edhe prezantimi i konceptit të “shkakut dhe pasojës” në shkrimet historike, duke u përpjekur të shpjegojë pse ndodhën ngjarjet, në vend se vetëm t’i përshkruante ato. Në këtë mënyrë Herodoti besonte se veprat e tij do të bënte që ngjarjet e së kaluarës të mos harroheshin, dhe do të shërbenin si një mësim i vlefshëm për brezat e ardhshëm.

Lexo po ashtu:  Atje po shkojmë, "Astrit, shumë, shumë të dua!" "Babi, unë ty edhe një herë më shumë!"

Por Herodoti ishte i interesuar edhe për gjeografinë dhe antropologjinë. Gjatë jetës së tij, ai udhëtoi shumë në të gjithë botën antike, duke vizituar Egjiptin, Persinë dhe disa qytete-shtete greke, duke mbledhur informacione dhe duke kryer kërkime mbi punën e tij.

Ai dha përshkrime të gjera, të hollësishme dhe të sakta të zakoneve, kulturave dhe besimeve të ndryshme të popujve që takoi gjatë udhëtimeve të tij. Këto përshkrime na ofrojnë ende sot njohuri të vlefshme mbi kulturat dhe popujt e botës së lashtë. Për këtë arsye Herodoti quhet edhe “Babai i Antropologjisë”.

Ai besonte se mënyra më e mirë për të përcjellë informacion, ishte përmes tregimeve tërheqëse që do të tërhiqnin vëmendjen e lexuesit. Ai përfshiu në veprat e tij shumë anekdota dhe detaje personale, gjë që e bëri punën e tij më interesante dhe më të kuptueshme për një audiencë më të gjerë.

Megjithatë, Herodoti nuk u mor gjithmonë seriozisht nga bashkëkohësit e tij. Historiani rival Tukididi zgjodhi të mbështetej vetëm tek provat “faktike”, të cilat ofronin një përshkrim më pak subjektiv të ngjarjeve. Ai e konsideroi si jo të besueshme dhe plot ekzagjerime veprën e Herodotit.

Megjithatë, ky i fundit shpjegonte në veprat e tij se nuk ishte i sigurt mbi vërtetësinë e disa ngjarjeve dhe skenave të supozuara që përshkruante, por se po raportonte vetëm atë që pa me sytë e tij gjatë udhëtimeve por edhe atë që iu tregua nga të tjerët.

Kështu, i pa dekurajuar nga kjo kritikë, Herodoti vazhdoi të shkruante dhe të udhëtonte gjatë gjithë jetës së tij. Megjithëse rrëfimet e tij mund të mos kenë qenë të gjitha plotësisht të vërteta, ato u ofrojnë lexuesve një lloj vështrimi mbi situata të ndryshme historike të asaj kohe. Herodoti respektohet për ndershmërinë e tij, dhe një pjesë e konsiderueshme e “Historive” që ka treguar janë vërtetuar nga historianët dhe arkeologët modernë. Në atë kohë, ishte e zakonshme që autorët t’i “publikonin” veprat e tyre duke i recituar gjatë festivaleve të mëdha. Sipas Luçianit (një satirist sirian i helenizuar), Herodoti e çoi kryeveprën e tij në Lojërat Olimpike dhe ua lexoi të gjithëve veprën e tij spektatorëve në një seancë, duke marrë duartrokitje të zjarrta.

Lexo po ashtu:  1 mijë studiues për shkrimin e enciklopedisë shqip

Megjithatë, një variant tjetër nga një gramatikan i lashtë, pretendon se Herodoti refuzoi të fillonte ta lexonte veprën e tij në olimpiadë, derisa disa re krijuan pak hije, kohë gjatë së cilës ta pranishmit ishin larguar. Herodoti ishte shumë i interesuar për natyrën njerëzore dhe marrëdhëniet me hyjnoren.

Ai besonte se qeniet njerëzore i nënshtroheshin tekave të perëndive që kontrollonin fatin e tyre. Po ashtu, u ndikua nga veprat e autorëve të tjerë të lashtë, përfshirë Homerin dhe Hesiodin, duke besuar se veprat e tyre ofronin njohuri të vlefshme për kulturën dhe vlerat e grekëve të lashtë.

Herodoti vdiq në Turi, një qytet në Italinë Jugore, diku rreth vitit 425 Para Krishtit, rreth moshës 60 vjeçare.

Vepra e tij ndikoi tek shumë historianë dhe shkrimtarë të tjerë përgjatë shekujve, por po ashtu ka pasur një ndikim të qëndrueshëm mbi vetë fushën e historisë, me metodën e tij të kërkimit dhe analizës objektive dhe kritike, duke u bërë për historianët një pjesë e domosdoshme e formimi të tyre intelektual. / historyhit /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *