Sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit XLI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ceremonia e hapjes së Seminarit u mbajt sot zyrtarisht në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës.

Në këtë kremtë të kulturës shqiptare ishin të pranishëm: rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, zv. dekania e Fakultetit të Filologjisë në Tiranë, Elsa Skënderi Rakipllari, drejtor i seminarit akademik Bardh Rugova.

Ceremonia u hap me sopranon e mirënjohur Besa Llugiqi, përcjellë me piano nga prof. Valton Beqiri.

Rrjedha vazhdoi me fjalimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i cili theksoi rëndësinë e këtij seminari, duke e konsideruar dritare të lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, stabiliteti i së cilit institucion është edhe stabiliteti i albanologjisë në botë.

Më pas, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me fjalën e saj të rastit, shprehu mirënjohje ndaj organizatorëve për fillimin e suksesshëm të seminarit e njëkohësisht edhe mbështetje që ky seminar të jetë gjithmonë shtyllë e studimeve albanologjike.

Lexo po ashtu:  Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…

Fjalimi i ministres Nagavci u përcoll nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili vendin kryesor ia la rëndësisë së gjuhës shqipe në kulturën globale dhe rëndësisë së ruajtjes së saj si thesar gjuhësor dhe lidhjeve letrare e kulturore që ajo i ka krijuar.

Në fund, akademik Bardh Rugova, njëherit edhe drejtor i Seminarit 41, fjalën e tij e filloi me një histori e cila ndërlidhi mandatin e parë të tij si drejtor në vitin 2011 me këtë të tanishmin. Në atë mandat u ftuan arnautët e Sirisë, ndër ta edhe Sadik Jonuzi, i cili kishte ardhur me djalin e tij. Këtë vit, djali, Albani kishte kërkuar të vinte në Seminar por nuk ju mundësua për shkak të procedurave të vizës. Kjo, varietetet e rrezikuara e statusi i pafavorshëm i shqipes në vendet ku është pakicë, sipas drejtorit, përbëjnë temën bosht të seminarit, shqipen në rrezik.

Për fund, ai falënderoi komunitetin studimor të albanologjisë, pjesëmarrësit, mysafirët, Universitetin e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës e Bankën BPB.

Seminari XLI i albanologjisë do t’i zhvillojë punimet nga data 14 gusht deri më datën 25 gusht, ku do të marrin pjesë mbi 100 seminaristë të huaj.

Lexo po ashtu:  WhatsApp së shpejti, do ofrojë shërbimin e kryerjes së pagesave të ndryshme nëpërmjet aplikacionit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *