Statistikat mbi depresionin apo vetëvrasjen janë tashmë alarmante dhe nuk dua ta imagjinoj se si mund të jenë pas disa vitesh. Askush nuk po flet për to. Prindërit duhet të reagojnë e të mos i lejojnë asnjë mundësi fëmijëve të përfshihen në rrjetet sociale në moshë të vogël. Nuk duhet as t’u japin atyre një celular. Ata nuk janë të gatshëm për një gjë të tillë. Nëse nuk do ta bëni dot një gjë të tillë, të paktën kontrollojani kohën e qëndrimit në rrjetet sociale. Mos i lejoni të qëndrojnë për shumë kohë dhe merrjani celularët.
Mua më bën përshtypje diferenca midis punonjësve të moshuar dhe atyre të rinj. Ata që janë të moshuar, i mbajnë celularët larg vendit të tyre të punës, ndërsa të rinjtë i mbajnë ato pranë tastierës së kompjuterit ku punojnë, pasi janë bërë të varur nga celulari i tyre dhe nuk heqin dot dorë. Nuk rrinë dot pa e parë ekranin e tij për njoftimet e reja.
Tashmë janë bërë eksperimente edhe tek minjtë mbi ndikimin e pajisjeve elektronike në tru. Është vënë re se minjtë e ekspozuar për një kohë të vazhdueshme përpara ekraneve të kompjuterave, televizorëve, celularëve, krijuan varësi të përhershme dhe përgjatë kohës që i vendosnin larg këtyre pajisjeve, ata përpiqeshin të shkonin drejt dritës së ekraneve të tyre dhe të qëndronin duke i parë ato.
Mendoni sikur të keni një person përballë jush në një tavolinë. Celulari i tij nuk ka marrë asnjë mesazh, apo thirrje, por sërish ai e mban atë në duar duke kontrolluar kot nëpër rrjetet sociale. Mendoni se ju jeni një person i rëndësishëm për të, përderisa ai bën një gjë të tillë? Absolutisht jo, sepse kur një person i varur nga celulari i tij e ka celularin pranë, ndjen se asnjë person nuk është aq i rëndësishëm sa ekrani që ka përpara syve.
Kur dalim në një takim, në një drekë apo darkë, me miqtë, kolegët, klientët, apo familjarët tanë, që nga momenti që ne vendosim celularin mbi tavolinë, u tregojmë atyre se nuk janë aq të rëndësishëm për ne. Ta kthesh celularin përmbys në një tavolinë, nuk është diçka më e sjellshme. Është e njëjta gjë.
Nëse dikush që na shoqëron për diku, përdor celularin e vet, na shtyn edhe ne të nxjerrim celularin tonë dhe ta përdorim, sepse e kuptojmë se nuk jemi të rëndësishëm për të. Jemi bërë kaq të varur, saqë kur dikush shkon në tualet gjatë një takimi, harrojmë se mund të shohim përreth lokalit, apo në natyrë për disa minuta të qetësojmë sytë tanë, por nxjerrim celularët tonë dhe i shohim. E dini se nga shkatërrohen marrëdhëniet? Pikërisht nga ato veprime që vihen re gjatë kohës që personi tjetër të injoron.