Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Këtë deklarim ai e ka bërë të enjten në një adresim para mediave, ku ka folur lidhur me draftin e Asociacionit, të prezantuar ditë më parë nga SHBA dhe BE.

Ai ka thënë se i njëjti mund të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian me prezentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë më Kushtetutën e Kosovës. Qëndrimi ynë është që duhet të jetë konsistent me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të kërkohet ndryshmi i Kushtetutës, nuk do të ketë autoritet ekzekutiv. Ne besojmë se ky draft-statut i përmbush të gjitha këto kritere”, ka argumentuar ambasadori amerikan.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.

Lexo po ashtu:  Andi Bushati: S’e kam parë kurrë më keq Albin Kurtin

“Duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovernier.

Në një konferencë para gazetarëve Hovenier tha se megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“E gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”, tha ndër të tjera ambasadori amerikan.

I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.