Atje po shkojme
(Me rastin e kthimit nga mërgimi), shkruar nga Avni Dehari, Berne, 1999
Po shkojme Albanë, po shkojmë
Në Dardani, pranvera ime,
Në tokën tonë, që etja për liri
E ka plasaritur, e ka carë,
Atje ku ti kurrë nuk ke shkelur,
E unë 19 vjet, shekuj për mua,
Vec ëndërr e kam parë!
Po ndahemi Xhemile, po ndahemi
Për një vit, gruaja ime e shtrenjtë,
Që të jemi prapë bashkë
Në Dardaninë tonë të shenjtë!
Po ndahemi Arbënor, po ndahemi,
Arbënori im i urtë, biri im i mirë,
Qe pas një viti të përqafohemi
Në Dardaninë tonë të lirë!
Po ndahemi Astrit, po ndahemi,
O syrrushi im, i mirë shumë,
Do ta kujtoj bisedën e mbrëmjeve,
Para se të merrte i ëmbli gjumë:
“Astrit, shumë, shumë të dua!”
“Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”
Po shkojme, o atje, atje po shkojmë,
Të dashurit, të mirët e mi,
Atje, në Dardani, po shkojmë
Në vendin tonë, si njerëz, në liri!
(Avni Dehari, Bernë, 1999)