Pas tre javësh përpjekjesh e vështirësish, më në fund shtetasit e parë shqiptarë, një nënë dhe 4 fëmijët e saj të mitur, kanë lënë territorin e Gazës.
Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë proçedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri.
“Mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit për bashkëpunimin, për mbështetjen si dhe kolegëve të ambasadave shqiptare në Izrael dhe Egjipt për punën e mirë në këtë situatë e operacion kompleks”, ka shkruar ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani.
“Po punojmë ngushtë me autoritetet për kthimin e shpejtë e të sigurt të shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Gaza”, ka shkruar tutje ai.
Ndryshe, ushtria izraelite vazhdon të godasë nga ajri qytetin e Gazës ndërsa forcat tokësore të saj u përballën me militantët e Hamasit pranë spitalit më të madh të rajonit, Al Shifa.
Në një fjalim televiziv të shtunën, kryeministri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim dhe tha se Izraeli do të luftojë me gjithë forcën kundër Hamasit.
Mes luftimesh që vazhdojnë mijëra njerëz vijuan edhe sot të larguan nga zona pranë spitalit kryesor të Gazës, Al-Shifa, drejt pjesës jugore të Gazës.