Deri në cilën moshë është normale që një fëmijë të besojë tek Babadimri? A është mirë të inkurajoni trillimet dhe të inskenoni ardhjen magjike të dhuratave çdo vit, apo do ishte më mirë të kapërcehej? Dhe si ta menaxhojmë zbulimin se plaku me mjekër, i veshur me të kuqe ekziston vetëm në fantazi? Ka shumë prindër që i bëjnë vetes këto pyetje, ndërsa përgatitin pakot e kërkuara në letrën e famshme drejtuar Polit të Veriut.
Dhe – megjithëse jo shumë – ka vërtet studime mbi përfitimet (ose dëmet) e besimit tek Babadimri.
Imagjinata e të mundshmes
Para së gjithash, nuk ka asnjë rrezik t’i bësh ata të bëhen njerëz që besojnë. Përkundër asaj që mendohej deri jo shumë kohë më parë, edhe fëmijët shumë të vegjël janë në gjendje të bëjnë dallimin midis imagjinatës dhe realitetit. “Kur fëmijët “shtiren”, ata ushtrojnë një aftësi vendimtare nga një këndvështrim evolucionar: atë të të imagjinuarit të mënyrave alternative, se si mund të jetë realiteti,” shkruan Alison Gopnik, një psikolog me autoritet, i cili merret me zhvillimin njohës te fëmijët.
Eshtë një ushtrim i dobishëm për të stërvitur aftësitë e arsyetimit kundërfaktual. Shkurt, besimi në mendjen e tyre se plaku mund të dorëzojë dhurata nëpër botë brenda një nate ose të zbresë me barkun e tij të fryrë nga vrima e oxhakut, do të kërkonte të njëjtën lloj imagjinate që kërkohet për të gjetur zgjidhjen e një problemi shkencor.
Nuk është tamam gënjeshtër
Edhe pa menduar se po inkurajojnë karriera të ardhshme shpikësish, shumica e ekspertëve dakordësohen mbi faktin që të besosh tek babagjyshi, ashtu si edhe tek shumë krijesa të tjera fantastike, është një fazë normale e zhvillimit njohës. “Në fund të fundit, ajo e Babagjyshit nuk është tamam një gënjeshtër, por një lloj nxitjeje për të marrë pjesë në një histori fantazie”, thotë Jacqueline Uooleey, psikologe në Universitetin e Teksasit.
Sidoqoftë, ka edhe disa që janë kundër, për shembull David Kyle Johnson, një profesor i filozofisë, i cili mendon se Santa Claus është “një gënjeshtër e padobishme” që minon besimin tek të rriturit. Për më tepër, sipas tij, zbulimi i së vërtetës mund të shkaktojë trauma serioze.
Një rrezik që vlerësohet si jo-ekzistent nga Carole Slotterback, psikologe. Pas mbledhjes së intervistave në mesin e qindra studentëve, ajo pretendon se ka gjetur vetëm një rast të rëndësishëm të traumës së shkaktuar nga zbulimi i mos ekzistencës së Babadimrit: një vajze të vogël, babai në një moment thjesht i kish thënë që Santa Claus nuk ishte më, sepse ai kishte pësuar një atak në zemër dhe kishte vdekur.
Mosha e pafajësisë
Deri në moshën pesë vjeç, fëmijët zakonisht besojnë pa kushte tek Babadimri. Në moshën shtatë vjeç janë me dyshime, nëntë vështirë se dikush e beson.
Por, në kundërshtim me atë që priremi të mendojmë, zbulesa nuk vjen papritur. Edhe ajo që ka pamjen e një aksidenti dramatik, për shembull, kur babai ose nëna kapen natën duke vendosur dhurata nën pemë, zakonisht është vetëm konfirmimi i një dyshimi të mëparshëm. Nëse fëmija nuk ka arritur ende moshën e duhur, është e mundur që as dëshmitë e këtij lloji nuk do ta rrëzonin besimin e vet.
Dy studiues vëzhguan reagimin e 52 fëmijëve tek zbulonin të vërtetën, në një studim disa vjet më parë. Në shumicën e rasteve ata e kuptuan vetë, dhe shumica shprehnin ndjenja pozitive pas zbulimit. Ose, nëse do të ndodhte ndonjë dramë e vogël, sidoqoftë ajo ishte jetëshkurtër. Në fakt, ata që kishin ndjenja nostalgjie dhe trishtimi ishin prindërit. Të cilët, siç tregon një studim tjetër, luajnë një rol kryesor: sa beson fëmija tek babagjyshi, varet edhe nga sa kanë investuar në histori fantazie dhe sa i kanë përpunuar rrëfimet e tyre.
Tregues të rëndësishëm
Slotterback ka analizuar mbi një mijë letra drejtuar Babadimrit nga 1998 deri në 2003 në Scranton, Pennsylvania, përshkruar në librin Psikologjia e Santa-s: shumë fëmijë i drejtuan plakut pyetje se si ishte në gjendje të bënte udhëtimet e tij madhështore, por ata përfundonin duke thënë se ishin të sigurt për ekzistencën e tij.
Qoftë për “mospërputhje” (kur dallohet fija që mban mjekrrën fallco apo çorapet e babait që është veshur si Babagjysh), qoftë prej dyshimeve që të fusin shokët e shkollës që janë më të mëdhenj dhe që e kanë bërë zbulimin, apo sepse legjenda në një moment të caktuar paraqet shumë të meta, për çdo fëmijë vjen një moment kur duhet të kthjellohet.
Kur vëreni shenja që ka ardhur koha, është më mirë që sipas psikologëve të mos bëni “zbulime” (përveç nëse duhet t’i përgjigjeni një pyetje të drejtpërdrejtë), por të lejoni që e vërteta të zbulohet gradualisht nga vetë fëmijët … mbase duke pushuar së fshehuri kaligrafinë në shënimet e lëna nga Santa Claus. Nëse ata arrijnë vetë tek zbulimi, do të jetë arritja e një qëllimi të vogël për ta, një mirëseardhje në botën e të rriturve. Dhe ata gjithmonë mund të ngushëllohe duke ndihmuar në krijimin e skenës së Santa Clausit për vëllezërit dhe motrat më të vegjël. … Urimet më të mira! / Focus-Bota.al/