Pedro Sanchez la të kuptohet se Spanja do ta njohë një Palestinë të pavarur edhe pa pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez së bashku me kryeministrin belg, Alexander de Croo dhe liderin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi mbajtën një konferencë shtypi përpara pikës kufitare Rafah dhe njoftuan se së shpejti, Spanja do ta njeh pavarësinë e Palestinës.

Udhëtimi i parë ndërkombëtar i Pedro Sanchezit pas fitimit të mandatit të kryeministrit të Spanjës për herë të tretë ishte në Lindjen e Mesme.

Ai më parë kritikoi ashpër Izraelin për bombardimin e civilëve në Gaza dhe dërgoi një mesazh se Spanja pritet ta njohë Palestinën edhe nëse nuk e bën këtë Bashkimi Evropian.

“Ka ardhur momenti që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja të marrë një vendim për njohjen e shtetit palestinez. Do të ishte e vlefshme, do të ishte e rëndësishme që shumë anëtarë të BE-së ta bënin këtë së bashku. Por, nëse kjo nuk do të ndodhë, sigurisht që Spanja do të marrë vendimet e saj”, tha ai pranë kufirit midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

Lexo po ashtu:  Kuptimi i trekëndëshit të kuq të Donald Trump dhe arsyet përse Facebook hoqi postimin e presidentit

Sanchez njoftoi dërgimin e katër tonë furnizime mjekësore në spitalet egjiptiane që trajtojnë refugjatët nga Gaza dhe garantoi se Spanja do të vazhdojë të rrisë ndihmën humanitare për Rripin e Gazës, e cila tashmë është trefishuar në 50 milionë euro.

Kujtojmë se në vitin 2014, nën një qeveri konservatore, parlamenti spanjoll miratoi një rezolutë që bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, të mbështetur nga të gjitha partitë politike.