Ka nisur të shfaqet edhe në në kinematë e Tiranës filmi I Ridley Scott, “Napoleon”. Në rolin kryesor luan Joaquin Pheonix, i provuar në bashkëpunim me Scott që me rastin e filmit të suksesshëm “Gladiatori”. Napoleoni i Ridely Scott vështirë se mund të quhet biografik, ai nuk është as historik mirëfilli, pasi figura e heroit vetëplotësohet vetëm në aspektin personal dhe jo atë të njeriut që njeh dhe pranon si të tillë historia.

Ngjarjet politike, ambicia, loja, aksioni dhe veprimi mungojnë thuajse tërësisht dhe i mvishen një thuajse memeci politik që u ngjit në majë vetëm me grykën e topit dhe sjelljen ushtarake. Për atë që nuk e njeh historinë, nuk ka për të kuptuar gjë nga Napoleoni dhe as pse duhej një film për jetën e dikujt që është përkufizuar në masë të madhe nga vendimet e së ëmës, të vëllait dhe nga dashuria deri në varësi për Jozefinën. Gruan e tij të parë.

Unë jam një hiç pa ty

Fraza e Perandorit të Francës shpon tej e tej veprën e tij historike. 

Lexo po ashtu:  Disa detaje që nuk i dinit mbi La Casa de Papel

Një Joaquin Phoenix i ngathët, ndonëse shprehës, që gati belbëzon dhe nuk flet. I druajtur, madje disi i tërhequr, enigmatik në vendimmarrje, Napoleoni i Scott flet vetëm përmes letrave për Jozefinën. Filmi është një arritje skenografike, kinematike dhe kostumografike, por pa asnjë tension. Thjesht një kronikë e përciptë e jetës së Çezarit të kohëve moderne, thelbi i së cilës është Njeriu i zakonshëm që dashuron, ka pasiguri, kërkon strehë te krahët e një femre për të mbetur në fund vetëm. Në Shën Helenë.

Scott e ka zhveshur Napoleonin nga çdo mitologjizim dhe çdo heroizëm duke e rindërtuar me staturën e një njeriu të zakonshëm që ndërtoi një fat të madh. E dobishme ndoshta në një aspekt, por pakkush do të gjejë arsye ta rishohë filmin edhe njëherë.