Hapja e kapitullit të parë me Republikën e Shqipërisë do të shënojë edhe ndarjen e rrugës së saj me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar në “meritat individuale të kandidatëve”, ky është edhe proces politik dhe për këtë arsye shpesh është dashur që një vend ta presë vendin tjetër

Shqipëria do ta bëjë më 15 tetor një hap historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke e hapur kapitullin e parë në këto negociata. 

Ky hap praktikisht e shënon nisjen e negociatave për Shqipërinë, pasi Konferenca e parë ndërqeveritare e zhvilluar para dy vjetësh e shënoi vetëm nisjen e procesit të “screeningut”. 

Deri më tash, Shqipëria, ani se i pati përmbushur kriteret teknike, është bllokuar në këtë proces nga ana e Greqisë. Për të lëvizur në secilin hap në procesin e zgjerimit është i domosdoshëm pajtimi i të gjitha vendeve anëtare. Javën e shkuar Greqia kishte hequr kundërshtimin e saj dhe pas kësaj ishte arritur pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së në grupin punues për zgjerim.
Presidenca hungareze e BE-së, e cila edhe e ka rolin e udhëheqjes së procesit negociues, i ka njoftuar vendet anëtare, si dhe Shqipërinë, për hapjen e këtij kapitulli më datën 15 tetor në një konferencë ndërqeveritare me Shqipërinë.  

Lexo po ashtu:  Shqipëria ndihmon Kosovën: Fillon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës në Shqipëri

“Konferenca ndërqeveritare” quhen takimet mes përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së në njërën anë dhe vendit kandidat nga ana tjetër. Të dyja palët formalisht paraqesin pozitën e tyre negociuese dhe pastaj hapet kapitulli përkatës.

Hungaria, në cilësinë e kryesuesit të radhës, ka njoftuar se Shqipëria “në mënyrë të kënaqshme i ka përmbushur kushtet për ta hapur këtë klaster”. Sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit të BE-së, të miratuar me kërkesë të Francës dhe të Holandës, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit duhet të hapen në fillim, pasi në procesin e negociatave duhet të ketë më shumë kohë për t’i përmbushur kriteret edhe për t’i mbyllur kapitujt. Janë gjithsej 35 kapituj në procesin e negociatave. E ky është kapitulli i parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe t’i mbyllë për t’u anëtarësuar në BE.