Si shkrimtar dhe intelektual, ai nuk e synoi arritjen e paqes me pushtetin, por me ndërgjegjen e tij. Shkrimet dhe intervistat e profesor Qosjes nxitën reagime e polemika në Beograd, Shkup e gjetkë. Shpesh u sulmua edhe nga të ashtuquajturit “shqiptarë të ndershëm”. Madje, disa prej tyre mburreshin para organeve partiake të Maqedonisë se pasi i kishin kontrolluar 5100 libra në gjuhën shqipe, 346 prej tyre i kishin futur në “fondet për përdorim të kufizuar”. (Borba, 23-24.11. 1985.)

Salajdin SALIHU, Tetovë

Në qytetërimin e shëmbëllesave, kur pak po dëgjohet zëri i shkrimtarit, artistit e mendimtarit dhe kur çdo vlerë hijezohet nga mjegulla e zezë e meskinitetit, është e shëndetshme ta rikthejmë vëmendjen te veprat e personaliteteve nga bota e mendimit dhe e krijimit artistik, të cilët u shquan si shkrimtarë e studiues, por edhe si intelektualë që e ruajtën shkëndijën e shpirtit promethean në kohën e robërisë dhe të gjithëpushtetshmërisë.

Njëri prej tyre është akademik Rexhep Qosja, veprat studimore, letrare dhe eseistike të të cilit hapën horizonte të reja për artin, kulturën, shoqërinë dhe historinë tonë.

Akademik Rexhep Qosja shpesh ishte një zë i vetmuar në shkretëtirë, i cili shkroi në kohëra të zymta me urtësi e guxim intelektual për lirinë, të drejtën, të vërtetën duke iu kundërvënë çdo forme të dogmatizmit. Kryefjala e tij ishte: “Për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën lë kokën”. Kësaj kryefjale i mbeti besnik gjithë jetën. (Rexhep Qosja, Morfologjia e një fushate, Prishtinë, 1980, f. 8.)

Akademik Rexhep Qosja i mbrojti me penë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Për të kufijtë kulturorë dhe gjuhësorë të një kombi janë më të gjerë sesa kufijtë administrativë.

Ai pati polemika të guximshme me intelektualë serbë, maqedonas e malazezë. Kundër tij janë shkruar shkrime të panumërta në shtypin jugosllav. Disa do t’i përmendim sa për ilustrim.

Profesor Qosja u akuzua shpesh pse nuk e kishte dënuar, siç thuhej, “karakterin kundërrevolucionar të demonstratave dhe propagandën antijugosllave”, kurse më 1982 iu bë vërejtje partiake gjatë procesit të “diferencimit ideopolitik”. (Borba, 30.9. 1982.)

Si shkrimtar dhe intelektual, ai nuk e synoi arritjen e paqes me pushtetin, por me ndërgjegjen e tij. Shkrimet dhe intervistat e profesor Qosjes nxitën reagime e polemika në Beograd, Shkup e gjetkë. Shpesh u sulmua edhe nga të ashtuquajturit “shqiptarë të ndershëm”. Madje, disa prej tyre mburreshin para organeve partiake të Maqedonisë se pasi i kishin kontrolluar 5100 libra në gjuhën shqipe, 346 prej tyre i kishin futur në “fondet për përdorim të kufizuar”. (Borba, 23-24.11. 1985.)

Në vitin 1985 në shtypin jugosllav zgjoi interesim polemika e profesor Qosjes me shkrimtarin Miodrag Bulatoviq. Qosja i quajti gënjeshtra akuzat se shqiptarët e Kosovës bënin gjenocid në Kosovë. (Nedelna Borba, 20-21.4. 1985, f. 1.)

Reagime zgjoi edhe intervista në revistën Danas më 1985, ku deklaroi se kishte intelektualë që nuk shërbeheshin me argumente, por me akuza politike, kurse kjo “nuk ishte në vijë me dialogun demokratik ndërmjet intelektualëve”. Qosja u shpreh hapur se në Jugosllavinë e atëhershme nuk kishte liri mendimi dhe fjale.

“Shqiptarët sa më të zgjuar që ishin duhej të ishin edhe më të heshtur… Barazia nuk fillon vetëm në jetën sociale dhe ekonomike, por aq sa shprehen lirisht bindjet politike”, tha ai. (Danas, 15.3. 1985.)

Lexo po ashtu:  Gjenerali rus i cili është përgjegjës për mizoritë në Siri është vënë në krye të pushtimit të Ukrainës

Duke folur për raportin ndërmjet intelektualit dhe pushtetit, Qosja tha se në mesin e inteligjencies shqiptare rekrutoheshin burokratë që i përndiqnin kolegët e tyre dhe synonin t’i nxirrnin ata nga qarku kulturor. (Knjizhevne novine, 15.4.1985, f. 5.)

Në shkrimin “Historia sipas Rexhep Qosjes”, që u botua më 1985 në Knjizhevne Novine, Bogolub Pejçiqi e akuzoi Rexhep Qosjen si “mbështetës të tezave të Ali Hadrit dhe Skënder Rizajt”, që “i paraqisnin serbët si fajtorë të historisë”. Autori shprehte revoltë pse Rexhep Qosja nuk i kundërvihej, siç shkruhet, “nacionalizmit shqiptar” dhe “gjenocidit ndaj serbëve në Kosovës”. (Knjizhevne Novine, 15.5.1985, f. 5.)

Milan Kangra reagoi kundër letrës së hapur që Rexhep Qosja e botoi në Knjizhevne Novine, më 15 janar 1986 me titullin “Letër e hapur një filozofi”. Kangra e akuzoi Rexhep Qosjen se nuk kishte thënë asnjë fjalë “për kundërrevolucionin irredentist dhe për urrejtjen e theksuar në mesin e rinisë”. (Knjizhevne novine, 2.1.1986, f.3.)

Reagime zgjoi edhe intervista e profesor Qosjes në Delo të Lubjanës më 1987. Gazeta Borba, një zëdhënëse e LKJ-së, ia zinte për të madhe profesor Qosjes sepse kishte thënë që shqiptarët i takonin të njëjtës hapësirë kulturore e historike; se ata kishin gjuhë të përbashkët letrare; se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin kontakte me Shqipërinë, kurse kjo ishte “anakronizëm për Europën”. (Borba, 25.2. 1987, f. 13.)

Kryeredaktori i revistës Komunist me gradë majori, Zhivorad Zh. Igiqi në shkrimin “Këtë (nuk) e di Rexhep Qosja”, shkroi se qëndrimet e profesor Qosjes përputheshin “me konstatimet dhe vlerësimet antijugosllave të Tiranës”. (Borba, 14-15.3. 1987, f. 2.) Kjo ishte një akuzë e rëndë. Ishte si një ftesë për regjimin që të “merrej” me profesorin.

Profesor Qosja u sulmua edhe nga intelektualë të Maqedonisë. Gane Todorovski e akuzoi Qosjen si “maqedonofob”, kurse në një intervistë dhënë gazetës Danas, më 20 mars 1987, Todorovski tha: “Çdo shtet me të gjitha mjetet duhet ta mbrojë vetveten dhe territorin e vet. Shqiptarët na rrezikojnë sa me lindshmëri, po aq edhe me dyndje mekanike”. Madje, ai pretendoi se Asdreni dhe Migjeni ishin me origjinë maqedonase. (Borba, 3. 11. 1987, f. 8.; Danas, 20.3. 1987.)

Nëpërmjet shkrimit polemizues “Letër e hapur shkrimtarëve serbë – pjesëmarrës në tribunën për Kosovën, e botuar në tri vazhdime në Borba, nga 10 deri 12 qershor 1987, Rexhep Qosja u kundërvihej shkrimtarëve e intelektualëve që ishin bërë pjesë e propagandës antishqiptare. I kritikoi ata se krijonin mitologji të re për Kosovën. Shkrimi u botua i shoqëruar me “vërejtjen e redaksisë”, që ishte distancim nga ajo që shkruante profesor Qosja. (Borba, 10.6. 1987, f. 8.)

Kundër letrës së hapur, përveç shkrimtarëve dhe intelektualë serbë, reaguan me orkestrim edhe qytetarë profilesh të ndryshme, madje edhe veteranë të Luftës së Dytë Botërore. Shkrimi e tronditi edhe kreun e lartë komunist, aq sa anëtarit të kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ, Ivica Raçanit, iu desh të takohej në Prishtinë me kreun komunist krahinor. Në këtë takim u zihej për të madhe intelektualëve shqiptarë që heshtnin ndaj letrës së hapur të Qosjes. (Borba, 10.6. 1987, f. 8.)

Lexo po ashtu:  Përjashtohen Mërgimtarët! KQZ merr vendim të tmerrshëm për Mërgimtarët: Secili mërgimtar që nuk përgjigjet në telefon, nuk i lejohet votimi

Shkrimtari dhe gazetari Bratisllav Milanoviq (1947) e kritikoi ashpër profesor Qosjen sepse thoshte që në Serbi zhvillohej nacionalizëm agresiv kundrejt shqiptarëve. Sipas tij, profesor Qosja “i krahasonte intelektualët serbë me ata të Gjermanisë naziste”. (Borba, 16.6. 1987, f.10.)

Sipas Zoran Gavriloviqit, akademik Rexhep Qosja nuk i kishte në fokus shkrimtarët serbë, por synonte “të bënte propagandë në Europën demokratike” dhe t’i akuzonte shkrimtarët serbë “se bënin terror mbi popullin e vogël shqiptar”. (Borba, 22.6.1987, f.8.)

Kosta Ugrica e akuzoi Qosjen se “i kishte vënë në bankën e të akuzuarve shkrimtarët, historianët dhe politikanët serbë”. (Nedelna Borba, 23.6.1987, f.8.)

Më 1 korrik 1987, Borba e botoi komentin “Minahedhësi si traditë”, ku shtrohej edhe pyetja e famshme: “Pse heshtin intelektualët shqiptarë?”. Pra, intelektualët shqiptarë duhej të flisnin me gjuhën e pushtetit dhe t’i dënonin qëndrimet e profesor Qosjes.

“Kaluan gjashtë vjet nga kundërrevolucioni 1981, kurse intelektualët shqiptarë si Dr. Rexhep Qosja, dr. Kurtesh Salihu, dr. Hajredin Hoxha dhe të tjerët, nuk e thanë asnjë fjalë për dukuritë jonjerëzore në raport me serbët dhe malazezët. Përse?”, thuhet në koment. (Borba, 1.7. 1987, f. 2.)

Milenko Jertoviqi, kryetar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, e akuzoi profesor Qosjen se fliste vetëm kundër nacionalizmit serb, por jo edhe atij shqiptar.

“Shkrimtari, profesori dhe akademiku Qosja është kritik i çmuar letrar dhe penë e shquar[…], i cili nuk foli asgjë kundër nacionalizmit shqiptar”, shkroi ai. (Borba, 18. 8. 1987, f.8.)

Në shtypin jugosllav vazhdoi botimi i shkrimeve kundër profesor Qosjes edhe gjatë vitit 1988. Reagime të shumta zgjoi deklarata e Qosjes në tryezën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi, sot”.

“Tashmë është e qartë se ekziston një marrëveshje serbo – malazeze – maqedonase për një qëndrim të përbashkët dhe të rreptë kundër shqiptarëve në Jugosllavi”, tha Qosja dhe shtoi se “kishte fushatë propagandistike serbe kundër Kosovës dhe krijim të psikozës kundërshqiptare”.

Në këtë takim ishin pjesëmarrës edhe shkrimtarët: Hasan Mekuli, Azem Shkreli, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Besim Bokshi dhe Agim Mala. (Borba, 27.4. 1988, f. 5.)

Shkrimi “Mbi hapësirën kulturore shqiptare”, i botuar në Knjizhevne Novine më 1 mars 1987, ishte kritikë kundër intervistës së Rexhep Qosjes dhënë gazetës Delo të Lubjanës. Në intervistën dhënë gazetarit Sllobodan Dukiq, e cila u botua më 19 shkurt 1987, Qosja shprehu pakënaqësi edhe ndaj revistës Fjala të Prishtinës, sepse nuk ia kishte botuar artikullin mbi toponimet dhe antroponimet në poezinë popullore të Maqedonisë. Qosja shprehej kundër ndryshimit të toponimeve në Maqedoni dhe kundër propagandës së gjithëmbarshme antishqiptare. (Knjizevne Novine, 23.1. 1987, f. 4.)

Disa muaj më vonë, shkrimtari Petro Sariq, në intervistën dhënë gazetës Delo, e quajti Rexhep Qosjen “nacionalist shqiptar”, që “asnjëherë nuk ishte interesuar për kombet tjerë në Kosovë”. Ai e akuzoi edhe profesor Ali Aliun, sepse, siç tha, “mrrolej” sa herë që Sariqi nuk e përshëndeste në gjuhën shqipe. (Knjizevne novine, 1.5. 1987, f. 15.)

Dragan Beliqi e akuzoi profesor Qosjen se “e promovonte tezën për diskriminimin e shqiptarëve pas vitit 1981”. (Borba, 7.6. 1988, f. 2.)

Lexo po ashtu:  Veteranët kundërshtojnë arrestimet e krerëve të OVL-UÇK-së

Më 28 nëntor 1988 Borba shkroi se derisa Sinan Hasani, Svetomir Arsiq Basara dhe Bozhidar Jovanoviqi i përkrahnin ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi dhe i quanin zgjidhje të duhura, akademikët Rexhep Qosja, Gazmend Zajmi dhe Idris Ajeti, i quanin unitarizëm, ngjallje e fantazmave të së kaluarës, diskriminim të shqiptarëve dhe mohim i të drejtave të tyre. Qosja tha se ndryshimet kushtetuese e rikthenin Kosovën në përqafim të unitarizmit serb, sikurse në vitin 1963, gjegjësisht para 1974. Ndryshimet kushtetuese, sipas Qosjes, do të kishin pasoja, “sepse shqiptarët e dinin se çfarë do të thoshte të mos kesh autonomi, ashtu siç ndodhte tani në Maqedoni”. (Borba, 28.11. 1988, f. 3.)

Po në vitin 1988 akademikët Rexhep Qosja, Gazmend Zajmi dhe Idris Ajeti i kundërshtuan ndryshimet kushtetuese në Republikën Socialiste të Maqedonisë, sepse e ndalonin përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe në jetën publike dhe zyrtare. Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë i hodhi poshtë ankesat e akademikëve shqiptarë. (Borba, 10.11. 1988, f. 14.) Gazeta Borba e përligji vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet shkrimit “Pse akademikët kosovarë e kontestuan kushtetutën e Maqedonisë dhe pse Gjykata Kushtetuese e refuzoi?”. (Borba, 12-13.11. 1988, f. 8.)

Sulmet kundër Qosjes dhe intelektualëve shqiptarë vazhduan në shtypin jugosllav edhe në vitin 1989. Në komentin e gazetës Borba, që u botua më 23 janar 1989, Rexhep Qosja akuzohej se “asnjëherë nuk ishte deklaruar kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, kurse “tezat e tij për lirinë dhe demokracinë u përshtateshin nacionalistëve shqiptarë”. Komenti pasoi pasi organizata partiake e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kërkoi që të fshihej nga lista emri i Rahman Morinës dhe të shtohej emri i profesor Qosjes si drejtues i mundshëm i organizatës partiake krahinore. (Borba, 23.1.1989, f.5.)

Rexhep Qosja u akuzua edhe nga funksionarët e lartë partiakë të Kosovës. Ata deklaronin se intelektualët shqiptarë “e kishin orientuar rininë në udhë të gabuar”. (Borba, 29.8.1989, f. 5.)

Polemika të shumta zgjoi edhe intervista e Rexhep Qosjes dhënë revistës Fjala të Prishtinës, më 1989. Pjesë të intervistës, të cilën e zhvilloi Milazim Krasniqi, u botuan në disa gazeta. Gjithsesi në gazetën Borba, më 3, 4 dhe 5 shkurt 1989. Më 16 shkurt 1989 u botua edhe polemika e Rexhep Qosjes kundër komentit të kësaj gazete. Në të njëjtin numër u botua komenti tjetër kundër profesor Qosjes, ndërkaq në numrat vijues vazhduan reagimet e intelektualëve dhe lexuesve kundër deklaratave të tij.

Shembujt e mësipërm na shërbejnë vetëm si ilustrim. Shkrime kundër profesor Qosjes janë botuar edhe në Nova Makedonia, Veçer dhe Lik të Shkupit.

Ne veçuam disa shkrime të botuara deri në vitin 1989. Kjo periudhë u shoqërua me tronditje të mëdha shoqërore në Jugosllavinë federale. Shkrime të ngjashme u botuan edhe në vitet vijuese.

Përveç reagimeve ndaj shkrimeve polemizuese, në shtypin jugosllav u botuan edhe shkrime kundër krijimtarisë letrare dhe shkencore të Rexhep Qosjes, por edhe kundër filmit Rojet e mjegullës të Isa Qosjes, i realizuar sipas motiveve të librit Vdekja më vjen prej syve të tillë.

Nga e sipërthëna e krijojmë një pamje më reale për rolin e intelektualëve në periudha të vështira për kombin dhe shoqërinë.

/Shenja/