Rexhep Qosja

T’i përshëndesim luftëtarët e lirisë

  • Para se të flasim për këshilltarët dhe për personelin teknik, para se të flasim për çkado qoftë tjetër, them, më duket e nevojshme, për më tepër më duket e domosdoshme, që në emrin tim dhe tuajin t’i përshëndes këta djem – pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dua të shpreh gëzimin pse jemi bashkë, me ta. Ata na kanë sjellë këtu. Ne këtu, në Francë, vijmë prej Prishtinës – prej kushteve qytetare, kurse ata vijnë këtu prej kushteve luftarake. Kosova ishte në gjunjë e ata e ngritën në këmbë. Ne ishim të përkulur, tepër të përkulur e ata na drejtuan. Na shikonim për tokë e ata na e kthyen nderin dhe dinjitetin. Ne ishim objekt në politikë e ata, me vetëflijimet e tyre, me luftën e tyre, na bënë subjekt. Bota sot po merret me Kosovën, bota sot ka organizuar Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën, sepse këta djem bënë që Kosova të bëhet çështje e parë botërore. Nuk është thënë kot: në qoftë se do të pësosh disfatë, më mirë është të pësosh disfatën duke bërë betejën, se sa të pësosh disfatën duke mos bërë fare betejën. Të drejtat që kërkojmë i bëjmë historike edhe me betejat e humbura, por të drejtat që kemi i zhvlerësojmë kur për to nuk bëjmë kurrfarë betejash. Këta na e kthyen besimin në mësimin e shkollës historike, që thotë: kur një popull do të bëjë diçka pashmangshëm do ta bëjë. Unë këtyre djemve u jam mirënjohës për krejt çka bënë deri sot për Kosovën; për krejt çka bënë për ne; për krejt çka bënë për krejt popullin shqiptar. E di, sigurt, se këtë mirënjohje do t’ua shqiptojnë edhe brezat e ardhshëm. Sepse, ajo që po bëjnë ata do të jetë bëmë e lavdishme e historisë shqiptare. Ju ftoj që konsideratën për ta, nderimin për ta ta tregojmë kudo, në çdo çast, me të gjitha sjelljet dhe mendimet tona në këtë Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën. Duke nderuar ata ne do të nderojmë veten dhe popullin tonë. Duke shquar ata ne do të shquajmë të drejtën tonë, luftën tonë të drejtë.
Lexo po ashtu:  Ani kush, pra, me i pri kombit: ju, do pyka, bij prej llomit, qi “shqiptarë” vedit i thoni, jo pse ju Shqipninë e doni. - Lexoni poezinë e pavdekshme, "Gomari i Babatasit"

Zotëron heshtja. Disa anëtarë të Delegacionit shikojnë njëri-tjetrin, disa në dritaret e disa në dysheme!

S’fshihet shkëlqimi i përmbajtur në fytyrat e lodhura të Jakupit e të Azemit. As në fytyrën gjithnjë optimiste të Ramës, as në fytyrën e pacaktuar të Zekës.

S’fshihet gëzimi në fytyrat e Mehmetit, të Hydajetit dhe të Bajramit.

S’fshihet mrrolja në fytyrat e Ibrahimit dhe të Bujarit!

S’fshihet befasia në fytyrën e shumëkuptimshme të Fehmi Aganit, i cili do të tregojë se ishte pajtuar, ndoshta plotësisht, me rolin që u takon ta luajnë dhe pashmangshëm duhet ta luajnë në këtë Konferencë përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Nga libri “Paqja e pergjakshme” botuar ne vitin 1999