Atje po shkojmë

Kjo poezi prekëse i kushtohet thellësisht familjes, duke shprehur gëzimin dhe lumturinë e autorit që, pas 19 vitesh jetese në mërgim, kthehet në Kosovën e tij të dashur. Me vargje të mbushura me dashuri dhe hare për njerëzit e tij të afërt, kuptojmë se autori dhe bashkëshortja e tij kishin vendosur të ktheheshin përgjithmonë nga Zvicra për të jetuar në atdhe. Fillimisht, autori duhet të shkonte i vetëm, për të përgatitur një vendbanim të denjë për familjen e tij të shtrenjtë. Me dashuri dhe emocione të thella, ai përshkruan momentin e kthimit të tij, duke shpresuar në një lumturi të plotë kur të ribashkohej me të dashurit e tij në Kosovën e lirë. Vargjet e sinqerta e shumë prindërore sikurse: “Astrit, shumë, shumë të dua!” “Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”, dëshmojnë mallin e autorit, tregojnë se sa etje e nevojë ka babai për të kuvenduar e të jetë afër e pranë fëmijëve të tij, familjes së tij.

Por koha solli një kthesë tragjike për familjen Dehari; pas disa vitesh, dhimbja e mbuloi me të zezë këtë familje. Djemtë e tij të dashur, Arbënori dhe Astriti, humbën jetën në mënyrë të papritur e tragjike, duke lënë pas një boshllëk që prek çdo varg të jetës së autorit.

Kujtesë: Astrit Dehari vdiq në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016. Në atë kohë, qeveria e Kosovës drejtohej nga koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kryeministër ishte Isa Mustafa ndërsa president i vendit ishte Hashim Thaçi nga PDK.

Autori, Avni Dehari, është babai i Astrit Deharit.

ATJE PO SHKOJMË

(Me rastin e kthimit nga mërgimi)

Po shkojmë Albanë, po shkojmë

Lexo po ashtu:  “E ftohtë dhe e ashpër”, poezia e trishtë e Franz Kafkës

Në Dardani, pranvera ime,

Në tokën tonë, që etja për liri

E ka plasaritur, e ka carë,

Atje ku ti kurrë nuk ke shkelur,

E unë 19 vjet, shekuj për mua,

Vec ëndërr e kam parë!

Po ndahemi Xhemile, po ndahemi

Për një vit, gruaja ime e shtrenjtë,

Që të jemi prapë bashë

Në Dardaninë tonë të shenjtë!

Po ndahemi Arbënor, po ndahemi,

Arbënori im i urtë, biri im i mirë,

Që pas një viti të përqafohemi

Në Dardaninë tonë të lirë!

Po ndahemi Astrit, po ndahemi,

O syrrushi im, i mirë shumë,

Do ta kujtoj bisedën e mbrëmjeve,

Para se të merrte i ëmbli gjumë:

“Astrit, shumë, shumë të dua!”

“Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”

Po shkojmë, o atje, atje po shkojmë,

Të dashurit, të mirët e mi,

Atje, në Dardani, po shkojmë

Në vendin tonë, si njerëz, në liri!

(Avni Dehari, Berne, 1999)