Norvegji/ Themelohet qendra kombëtare kundër dezinformimit

Për të pastruar se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo në rrjedhën gjithnjë e më të madhe të informacionit dhe lajmeve të rreme, shtypi norvegjez po bashkohet për një iniciativë të re për të luftuar dezinformimin.

– Vitet e fundit, kërcënimet ndaj themeleve kryesore në shoqërinë tonë janë rritur, ndër të tjera për shkak të tensioneve të reja gjeopolitike. Ndërkohë, zhvillimi i inteligjencës artificiale e ka bërë të lehtë dhe të lirë prodhimin masiv dhe përhapjen e dezinformimit, thotë Helje Solberg, drejtoreshë e lajmeve në NRK.

Shumë kompani mediatike dhe organizata të shtypit kanë propozuar krijimin e një “Qendre Kombëtare për Kritikë ndaj Burimeve të lajmit”, me qëllim forcimin e rezistencës së popullit ndaj lajmeve të rreme dhe propagandës. Ky propozim tashmë i është paraqitur qeverisë norvegjeze.

A nuk do të duhej edhe Qeveria e Kosovës, së bashku me mediat e pavarura, të ndërmerrte një hap të tillë? Sepse populli i Kosovës është jashtëzakonisht i bombarduar nga lajmet e rreme dhe propaganda që synojnë të manipulojnë opinionin dhe të përçajnë shoqërinë, në kohën kur Serbia hapur, me diplomaci e me ushtri, po kërcënon Kosovën.

Lexo po ashtu:  +++Facebook me vendime dramatike+++

MekuliPress fton Qeverinë dhe mediat e pavarura të fillojmë me një projekt të tillë kombëtar, sa më parë.

/Gëzim Mekuli/