Rahovec, 1 shkurt 2025
Një delegacion i Listës Serbe, i udhëhequr nga nënkryetarët e partisë, Tanja Vujović dhe Dalibor Jevtić, së bashku me kandidatet për deputete në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Prishtina, ka vizituar sot Rahovecin dhe Hoçën e Madhe.
Ata kanë dërguar mesazhin se më 9 shkurt duhet treguar unitet dhe votuar për të vetmen listë që mbështetet nga shteti i Serbisë.
Në Rahovec, delegacioni fillimisht vizitoi ambulantën dhe familjen pesëanëtarëshe të Ivica Šarićit. Më pas, ata vizituan edhe hapësirat ku ndodhet Zyra e të Rinjve. Në Hoçën e Madhe, përfaqësuesit e Listës Serbe vendosën një kurorë lulesh në përkujtimoren e të vrarëve dhe të zhdukurve. Më pas, ata vizituan kishën e Shën Stefanit dhe familjen Nakalamić.
Krunoslav Nakalamić deklaroi se kjo vizitë është një dëshmi që shteti i Serbisë qëndron pas popullit të saj në Kosovë dhe Metohi. “Dua të falënderoj Listën Serbe, Dalibor Jevtićin dhe shtetin e Serbisë, e cila qëndron pranë nesh. Shpresoj që me ndihmën e Serbisë do të mund të mbijetojmë këtu,” tha Nakalamić. Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtić, gjatë bisedës me qytetarët, theksoi se janë aty për të konfirmuar rëndësinë e unitetit më 9 shkurt.
“Pikërisht këtu, në Metohi, në Rahovec dhe Hoçën e Madhe, duhet të japim një mesazh të qartë se nuk kemi shtet tjetër përveç Serbisë. Dhe për ta vërtetuar këtë, duhet të votojmë për numrin 112, për Listën Serbe, e cila është e vetmja listë e mbështetur nga Serbia,” deklaroi Jevtić.
Ai shtoi se periudha e kaluar ka qenë e vështirë për komunitetin serb, të cilët, sipas tij, kanë përjetuar “shtypje dhe dhunë institucionale nga regjimi në Prishtinë.” “Për gjithçka që ka bërë Albin Kurti ndaj serbëve këtu, për mbylljen e institucioneve serbe, dikush është munduar të fajësojë Listën Serbe, Serbinë dhe presidentin Vuçiq. Dua t’ju them që të mos bini pre e këtyre gënjeshtrave, sepse qëllimi i Kurtit është të përçajë serbët,” tha ai. Jevtić shtoi se shteti i Serbisë ka ndihmuar në masë të madhe komunitetin serb në Metohi. “Ju e dini sa kemi ndihmuar përmes ministrive dhe sa ndihmë direkte dhe indirekte është dhënë nga Serbia,” tha ai. Ai shprehu bindjen se Lista Serbe do të fitojë më 9 shkurt dhe se këtë e shohin gjatë gjithë fushatës. “Flasim me bashkatdhetarët tanë dhe shohim që kemi mbështetje,” theksoi ai.
Ai tha se synimi është fitimi i 10 mandateve si hap i parë drejt një të ardhmeje më të mirë për serbët në Kosovë. “Hapi i parë drejt lirisë së cilën na e kanë mohuar katër vitet e fundit. Hapi i dytë është të marrim ato pozita në institucione që na takojnë me ligj. Jo si dhuratë, por si diçka që na përket,” tha Jevtić.
Nënkryetarja e Listës Serbe dhe kandidatja për deputete, Tanja Vujović, tha se vizita në Rahovec dhe Hoçën e Madhe kishte për qëllim diskutimin me qytetarët për problemet e tyre. “Njerëzit janë të vetëdijshëm se Lista Serbe është e vetmja lidhje direkte me Serbinë dhe ka mekanizmat për të zgjidhur shumë probleme përmes Zyrës për Kosovë dhe Metohi dhe lidershipit shtetëror. Jemi këtu për të dëgjuar qytetarët dhe për të garantuar se do të vazhdojmë të mbrojmë interesat dhe të drejtat e tyre,” tha Vujoviq.
Ajo shtoi se shumë familje serbe kanë përfituar ndihmë nga Serbia. “Janë ndërtuar shtëpi, janë siguruar materiale ndërtimore, janë realizuar projekte infrastrukturore, ambulancat janë pajisur me automjete dhe pajisje dentare. Jemi këtu për të parë nga afër problemet dhe për të gjetur zgjidhje për secilin rast,” përfundoi Vujoviq.
Lajmi u publikua nga agjencia serbe, Tanjug/ Përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe Nexha Xhema/.