Nuk mund të ketë një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës pa qenë Ukraina në krye të procesit. Apo pa qenë Evropa e përfshirë në negociata.

Pas bisedës telefonike prej një ore e gjysmë mes Donald Trumpit dhe presidentit rus Vladimir Putin këtë javë, gjithçka tregon se pikërisht këtë po synon presidenti amerikan.

Kjo është e papranueshme, si për Ukrainën, ashtu edhe për gjithë Evropën.

Dhe është shqetësuese. Papritur, Trump e ka afruar Putinin, pa biseduar më parë as me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj dhe as me aleatët evropianë.

Nga ajo që dimë për përmbajtjen e bisedës, nuk pati as kritikë ndaj Putinit dhe as vendosje të përgjegjësisë për luftën aty ku duhet: te Rusia, e cila pushtoi Ukrainën, një shtet fqinj të pavarur dhe sovran.

Të gjithë e kanë të qartë se lufta në Ukrainë do të përfundojë në tryezën e negociatave.

Qëllimi i Perëndimit ka qenë prej kohësh që Ukraina të fitojë sa më shumë në fushën e betejës, në mënyrë që Zelenskyj dhe populli i tij të kenë një pozicion sa më të fortë në negociata.

Lexo po ashtu:  Zoti, më ofroi punë

Me humbje të mëdha dhe pajisje ushtarake të vjetëruara, Rusia kohët e fundit është dukur më e dobët në front.

Kjo ka dhënë shpresë për një zgjidhje të negociuar që Ukraina mund ta pranojë në të ardhmen.

Por tani, përpara se negociatat të fillojnë, Trump i ka hequr Ukrainës disa nga kartat më të forta të negociatave.

Ai ka deklaruar se anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës në NATO nuk është në tryezë – megjithëse Ukrainës më parë i ishte premtuar se kjo mund të ndodhte në një moment të caktuar.

Trump ka thënë gjithashtu se ushtarët amerikanë nuk do të hyjnë në Ukrainë për të siguruar kufijtë e saj pas një marrëveshjeje paqeje. Dhe mbi të gjitha, ai ka paralajmëruar se ushtarët evropianë, nëse marrin pjesë në këtë proces, nuk do të mbulohen nga garancitë e sigurisë së NATO-s.

Me fjalë të tjera, Putini ka marrë tashmë shumë nga ato që dëshiron – madje para se negociatat të fillojnë. E pabesueshme.

Lexo po ashtu:  Analizë e REL: Oligarkët rusë vazhdojnë të investojnë në Mal të Zi

Ukraina nuk do ta pranojë kurrë një marrëveshje të tillë. Dhe as që të tjerët të negociojnë në emër të saj, pa qenë vetë e përfshirë. Përgjigja e Evropës duhet të jetë e qartë:

Ne e mbështesim Ukrainën. Lufta e saj është edhe lufta jonë. Mbi të gjitha për Ukrainën vetë.

Por edhe sepse, nëse Putini e sheh veten si fitimtar në Ukrainë, ai ndoshta do të vazhdojë me agresionin ndaj vendeve fqinje, të cilat i konsideron pjesë të sferës së tij të interesit.

Ne kemi një përgjegjësi morale ndaj Ukrainës dhe interesa të forta sigurie për të vazhduar ta mbështesim atë me gjithçka që kemi.

Politikisht dhe diplomatikisht, duke kundërshtuar përpjekjet e SHBA-së për të anashkaluar si Ukrainën, ashtu edhe Evropën. Dhe ekonomikisht e ushtarakisht, duke i dhënë Ukrainës të gjitha mjetet që i duhen për t’u forcuar në fushën e betejës.

Norvegjia ka mundësi më të mëdha se shumica e vendeve për të dhënë më shumë ndihmë ekonomike. Koha për ta bërë këtë është tani. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e Evropës.

Burimi:VG /Përktheu dhe përshtati MekuliPress/

Lexo po ashtu:  Janullatosi takon Fredi Belerin në burg