Në një intervistë të para disa ditëve për revistën gjermane “Spiegel”, politologu amerikan Johna Mearsheimer ka folur për problemet e mëdha që janë krijuar së fundmi në marrëdhëniet transatlanitke duke vënë gishtin mbi plagë. I pyetur mbi zbatimin e nenit 5 të NATO-s që hamendësohet se vepron në mbrojtje reciproke të të gjithë anëtarëve të aleancës, Mearsheimer, bën me dije se neni në fjalë nuk parashikon një gjë të tillë. Atë thjesht e përdori SHBA në atë mënyrë për të krijuar garanci.
Neni 5 nuk ka parashikuar kurrë në mënyrë aksiomatike se SHBA do të përdorë forcën ushtarake për të ndihmuar një vend anëtar të NATO-s. Por thuajse çdokush e beson një gjë të tillë. Kjo ishte thelbësore të thuhej gjatë Luftës së Ftohtë. Gjermania Perëndimore ishte një shtet në pararojë dhe nuk kishte armë bëthamore. Gjermanët ishin shumë të shqetësuar se amerikanët nuk do të përdornin bërthamore për t’i mbrojtur nëse do të ishin në momente të vështira. Kështu që SHBA theksoi nenin 5 në një mënyrë që të dukej se do të përdorte automatikisht armët bërthamore në një rast të tillë. Në fakt, si ish-Sekretari i Shtetit, Henry Kissinger, edhe ish-Sekretari i Mbrojtjes, Robert McNamara thanë pasi lanë zyrën se nuk do të përdornin armët bërthamore për të mbrojtur Gjermaninë. Por ata nuk e thanë një gjë të tillë kur ishin në detyrë
I pyetur nëse me këtë logjikë, SHBA do të vinte në ndihmë të Estonisë dhe Finlandës nëse sulmohen, Mearsheimer thotë se kjo është diçka shumë e fortë, por që njësoj si gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA do të vite në ndihmë. Me dallimin se:
Ky angazhim po gërryhet shumë shpejt. Pesë vjet nga sot, nuk jam i sigurtë nëse do të ketë ndonjë garanci reale nga neni 5
Për arsyet e kësaj krisjeje gati fatale dhe historike, politologu në fjalë vë gishtin tek ajo që e quan “përçmim” që Donald Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance kanë për europianët. Sipas tij nëse në mandatin e parë Trump ktheu politikën amerikane në raport me Kinën, nuk ishte në gjendje të bënte diçka në raportet e SHBA me Rusinë. Dhe do ta bëjë kësaj radhe një gjë të tillë.
Mearsheimer vendos edhe një bast publik kur deklaron se largimi i një paqeruajtësi si SHBA do të vendosë Europën në krizën e zakonshme të saj të shteteve kombe me forcat centrifugale që do të shfaqen përherë e më të forta. Ai shton se teza se Gjermania duhet të kërkojë dhe tentojë një status bërthamor lidhet me mënyrën sesi Gjermania percepton Rusinë. Sipas tij nëse shihen faktet nuk ka asnjë rrezik rus për Gjermaninë, kështu që nuk ka një arsye pse kjo e fundit të armatohet. Të paktën në planin afatmesëm.