Qeveria angleze ka thënë që më shumë se 130 mijë drunj do të mbillen në qytete dhe qyteza të ndryshme të këtij shteti me qëllim që të luftohet ndryshimi i klimës.

Dhjetë milionë funte do të sigurohen përmes granteve të fondit “Sfida Urbane për Drunjtë” gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Ky plan, i cili do të administrohet nga Komisioni i Pyjeve, do të jetë i hapur për individët, autoritetet lokale, shoqatat bamirëse dhe organizatat joqeveritare. Përmes granteve do të mbulohen shpenzimet për blerjen e drunjve dhe kujdesin për ta për tri vjet pas mbjelljes.

“Drunjtë janë jetikë në luftën kundër ndryshimit të klimës, prandaj ne duhet të lëvizim më shumë dhe më shpejt për ta shtuar mbjelljen e tyre”, tha Michael Gove, ministër i mjedisit, përmes një deklarate.

Drunjtë e mbjellur e kufizojnë dëmin e shkaktuar nga ndryshimi i klimës sepse ata e thithin dioksidin e karbonit. Për më tepër, ata e përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, i lidhin më tepër ata me mjedisin e jashtëm, e pakësojnë zhurmën, zvogëlojnë rrezikun nga vërshimet dhe krijojnë hapësira të gjelbra.

Lexo po ashtu:  Pasi e hodhi në koshin e mbeturinave, burri rimerr biletën e lotarisë dhe bëhet milioner

Sir William Worsley, i cili vitin e kaluar u zgjodh nga qeveria si kampion i mbjelljes së drunjve, tha se përfitimet nga ky veprim janë të panumërta. Ai tha: “Drunjtë janë gjaku i jetës së kombit tonë dhe ne duhet të sigurohemi që ata të jenë të rrënjosur jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete”, shkruan “Independent”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *