Kohëzgjatja e leximit: 2 minuta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania CETIS lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Sipas komunikatës së KQZ-së, pas publikimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë mbi procesin e prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konstatuar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit, e cila shtyp numrin e vendvotimit. Për shkak se sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.

Në sqarimin e saj, CETIS ka marrë përgjegjësinë e plotë për këtë gabim teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre. Kompania ka shprehur keqardhje për incidentin dhe ka konfirmuar se do të qëndrojë në bashkëpunim të plotë me KQZ-në për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve.

KQZ ka bërë të ditur se për këtë rast është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Lexo po ashtu:  Në Gjenevë vazhdojnë protestat kundër racizmit

Në njoftim thuhet gjithashtu se janë bashkëngjitur përgjigjet zyrtare të kompanisë, në gjuhën angleze dhe shqipe.