O pleqt e dashtun, pleqt e bekue,
Dy fjal po i flasim përmbi pleqní,
Si ju edhe un keq jam plakue,
Por, kadalë t’flasim, kush mos me ndí!

Si gjetht e mandit qi n’ dimën bijnë,
Shpenset e tij grihen, natyra e ndinë,
Se s’punojnë gliqet si tjetër herë!

Ata qi kemi njoft, të gjith kan dekë,
Q’i kemi dashtun e n’a kan dashtë,
Në rini t’onën… e s’n’a ka mbetë,
Veç se kujtimi i kohës s’ lashtë!

Dora n’a dridhet, flokët jan zbardhue,
Dhe drita e synit nisë me n’a lanë;
Me shkop po ecim për mos m’u rrxue,
Dhe veshet s’po ndjenë, kanë nisë m’u zanë!

Kot mbahet plaku si burr i fortë,
E shkon e rruhet dy herë në javë;
Po… t’rijtë e shohin se asht ba për shportë;
Edhe po piqet si mishi n’tavë!

Kot flet e qeshet me t’rijë e t’reja,
Kot e mba vehten si gjeli n’pleh,
Se me atë tallen’ dhe grat’ e veja
Kur shohin plakun si do m’u ngreh!

Por!… s’asht nevoja kot m’u idhnue,
Gjith herë plaku për nder asht kenë;
Dhe ner gjith shpijat për m’e nderue
Në krye të vendit plakun venë.

Lexo po ashtu:  Bizneset në Facebook tani mund ti përgjigjen konsumatorëve nëpërmjet Messenger

T’gjith pyesin plakun, t’tanë e ndigjojnë,
S’e dijnë se plaku e ka urtinë,
Dhe ner ngaterrime te plaku shkojnë,
Me arsye t’plakut e gjejnë dobinë.

***

S’po flas për plakat, as s’kam ç’me thanë,
Se s’kam pa plaka un njiherë:
T’tana janë t’reja, për gjith vend janë
Si njajo lulja që çilë në prandverë.

Nana e parë, Eva, i ka urue,
I ka thanë: qyrni, o fëmijët e mij,
Ma vonë njerzit kanë për t’u shtue,
Gjith herë m’a paçi flokun e zi!

Floku i bardhë m’krye kurr mos t’u mbesë
Por qofshin thijat për burra e pleq;
Se burri o t’mjera, asht i pa besë,
E… shiqon t’rejat: mos Zot ma keq!…

Dhe i ka dhanë grues kto msime tjera:
Kur të kesh mbushun vjetët katërdhetë,
Çoju si dielli kur del prendvera,
E thuej se s’ke veç se tridhetë.

Folni edhe qeshni e bisedoni,
Ka hije fjala e grues s’re:
Cakun e urtisë mos e kaloni,
Gjith herë urtija asht nder për ne.

Vjehër kur t’bahesh, mendo o grue,
S’edhe ti nuse ke kenë nji herë,
Dhe si ti reja dishron me gzue,
S’asht rob i blemun me fjalë m’e therë.

Lexo po ashtu:  Vjen për herë të parë në botën shqiptare: “Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor”

Ashtu edhe reja duhet t’mendojë
Me kenë për vjehrën e saj si bí:
Gjuha gjith herë mjalt të pikojë
Se gjuha e ambël lumnon në shpí.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *