Kohëzgjatja e leximit: 4 minuta

S’keni çka i bëni gomarit, e po i mshoni samarit!

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës

Po qarkullon një video dhe po flitet se gazetari Lirim Mehmetaj “paska konsumuar narkotikë”. Për mua, kjo ndodhi, nuk duhet të jetë hiq thelbi i debatit publik.

Se çka bën një njeri, në këtë rast, një gazetar, me trupin dhe jetën e tij, për aq kohë sa nuk dëmton të tjerët dhe nuk shkel ligjin, është çështje e tij private; Nuk është detyrë e publikut të bëhet gjykatës i jetës private të gazetarit dhe të askujt hiq. Pikë!

Ajo që duhet të na shqetësojë neve si milet është diçka krejt tjetër: a gënjen, a shpif, a manipulon, a fyen dhe a keqinformon publikun ky gazetar? Këtu duhet të shigjetohet kritika ndaj gazetarit dhe figurave publike në tansi.

Lexo po ashtu:  Video/Korrespondenti i CNN në Mineapolis arrestohet live

Historia e kulturës është plot me figura të mëdha për të cilat janë bërë thashetheme për alkoolin, drogën apo mënyrën e tyre të jetesës.

Edhe për Shakespeare-in janë hedhur spekulime të ndryshme për përdorimin e substancave narkotike por, pa prova që ta vërtetojnë një gjë të tillë. Për Salvador Dalin po ashtu është krijuar miti i artistit të droguar. Në fakt, Dali deklaronte: “Unë nuk marr drogë, unë jam drogë.”

Të dashur lexues,
Pyetja ime është: çfarë rëndësie ka kjo për vlerën e veprës, mendimit apo argumentit të një personi? Hiq, bash asnjë vlerësim!

Diçka me shumë rëndësi; Nëse gazetari, shkrimtari, analisti a politikani thotë të pavërteta, kundërshtojeni me fakte. Nëse na rrenë e shpif, demaskojeni me prova;

Nëse manipulon, zbërthejeni manipulimin: Nëse fyen dhe dehumanizon njerëzit dhe kundërshtarët e tij, kritikojeni për fyerjen dhe dehumanizimin, por aman mos bini në nivelin e sulmeve adhominem: “Ai pi këtë, prandaj nuk ka të drejtë të flasë për atë.”

Ky marifet nuk është gazetari e as kritikë; Kjo është gjueti ndaj personit në vend të përballjes me argumentin.

Lexo po ashtu:  FOTOLAJM/ Bizneset në solidaritet me protestat e studentëve: Jemi me ju, mos na dëmtoni...

Në fund të fundit, Lirim Mehmetaj është përgjegjës për jetën dhe trupin e vet. Por si figurë publike, si analist dhe gazetar, ai është përgjegjës për fjalët që thotë, për shpifjet, britmat dhe (dez)informacionin që e shpërndanë në hapsirën tonë publike. Apo jo?

Hajde pra, ta gjykojmë Lirimin për mikrofonin, jo për drogën; për faktet, jo për thashethemet; për përgjegjësinë publike si gazetar, jo për jetën e tij private.

Dhe kjo maksimë duhet të vlej për të gjithë; edhe për Lirim Mehmetajn, edhe për ata që sot po e sulmojnë adhominmem këtë njeri të shkretë.

Konsekuent deri në fund; Ti mund t’i thuash Lirimit mos shpif. Mos rrejë. Mos manipulo. Mos e torturo popullin me britma. Mos e helmo opinionin publik me të pavërteta, e jo ti përzihesh në jetën e tij private, apo jo?

Një shoqëri demokratike nuk formësohet duke kritikuar se çfarë pi gazetari/analisti a politikani, por duke kërkuar çfarë u thonë këta popullit dhe sa e vërtetë është ajo që këta i thonë popullit.

Lexo po ashtu:  Çfarë është lajmi i rremë, dhe si mund ta shmangim atë?

Shkurt e shqip; Mos e gjykoni gazetarin për atë që pin; gjykojeni për atë që thotë.

Po më duket se, s’keni çka i bëni gomarit e po i mshoni samarit!