51 organizata shqiptaro-amerikane kundër Ramës: kërkojnë ndaljen e represionit dhe dorëheqjen e kryeministrit
Nga Nju Jorku vjen një thirrje e fortë politike për Tiranën. Dhjetëra organizata shqiptaro-amerikane i kërkojnë Edi Ramës të ndalë presionin ndaj protestuesve, të lirojë të ndaluarit dhe të marrë përgjegjësi politike për veprimet e policisë.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Pesëdhjetë e një organizata shqiptaro-amerikane kanë dalë me një qëndrim të përbashkët kundër mënyrës se si qeveria e Edi Ramës po trajton protestat në Shqipëri.
Më 17 nëntor 2026, organizatat i kanë dorëzuar kryeministrit shqiptar një letër të hapur, në të cilën dënojnë përdorimin e pretenduar të tepruar të forcës policore dhe frikësimin e protestuesve që nga 13 tetori.

Kërkesat e tyre janë të drejtpërdrejta: ndalimi i represionit, lirimi i personave të ndaluar vetëm për pjesëmarrje në protesta paqësore dhe mbrojtja e të miturve nga çdo formë presioni apo dhune.
Organizatat kërkojnë gjithashtu pezullimin e legjislacionit për protestat, të miratuar përmes aktit normativ më 28 tetor pa debat parlamentar, si dhe publikimin brenda 30 ditësh të një raporti të plotë mbi veprimet e Policisë së Shtetit.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme është lejimi i qasjes së plotë për hetuesit ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një hetim i pavarur dhe transparent.
Por letra shkon edhe më larg: 51 organizatat shqiptaro-amerikane i kërkojnë Edi Ramës të marrë përgjegjësinë politike dhe të japë dorëheqjen.
Nisma nuk është kufizuar vetëm në adresën e kryeministrit. Letra u është dërguar 246 zyrave dhe institucioneve, përfshirë Departamentin amerikan të Shtetit, Kongresin e SHBA-së, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Nënshkruesit kërkojnë mbështetje për hetime të pavarura, si dhe mbrojtjen e prokurorëve kundër korrupsionit dhe SPAK-ut nga ndërhyrjet politike.
Në letrën e tyre, organizatat theksojnë se protestat kishin vazhduar për më shumë se katër muaj pa incidente madhore.
Ky reagim i përbashkët nga diaspora shqiptare në Amerikë e çon debatin për trajtimin e protestave përtej kufijve të Shqipërisë dhe e vendos atë në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare.
Mesazhi i tyre për Tiranën është i qartë: e drejta për të protestuar nuk është privilegj i qeverisë, por e drejtë themelore e qytetarëve.
Dokumenti i plotë, në shqip dhe anglisht, lista e 51 organizatave nënshkruese dhe mundësia për ndihmë juridike falas për të prekurit janë publikuar në faqen Albanians Without Borders.
Letër e hapur Kryeministrit Edi Rama
17 nëntor 2026
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,
Ne, organizatat Shqiptaro-Amerikane të nënshkruara si më poshtë, mbështesim protestat paqësore, të drejtat kushtetuese të protestuesve dhe thirrjet e tyre për t’i dhënë fund korrupsionit, për më shumë transparencë e përgjegjshmëri politike dhe për reforma.
Për më shumë se katër muaj, Shqiptarët protestuan pa incidente madhore. Sikur t’u ishit përgjigjur kërkesave të tyre me dialog kuptimplotë, komuniteti ndërkombëtar do të kishte parë qytetarë që ushtrojnë të drejtat e tyre dhe një qeveri që u përgjigjet shqetësimeve të tyre. Në vend të kësaj, po dëshmojmë një krizë.
Që prej 13 tetorit 2026, tensionet janë përshkallëzuar në përplasje, plagosje dhe dëmtim të pronës. Qeveria duhet të tregoj përmbajtje për të ulur tensionet jo të përdorë forcën joproporcionale, të kryej arrestime masive dhe të ushtroj dhunë. Pas dhunës, qeveria vendosi gjoba të rënda dhe miratoi ligje kufizuese. Këto veprime kanë cenuar të drejtat civile, kanë thelluar mosbesimin dhe kanë nxitur më tej trazirat.
Qeveria ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe rendin publik brenda kufijve të ligjit. Kushtetuta mbron lirinë e tubimit, të shprehjes dhe të shtypit, procesin e rregullt ligjor, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat e personave të ndaluar. Çdo kufizim duhet të jetë i parashikuar me ligj, proporcional dhe në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në interes të paqes, drejtësisë dhe të ardhmes së Shqipërisë, ju bëjmë thirrje:
- Ndaloni përdorimin e dhunës. Ndaloni përdorimin e plumbave prej gome, ujit me presion dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve e gazetarëve. Ulni praninë e rëndë të forcave të rendit në protestat paqësore dhe mos përdorni gjoba apo ndalime udhëtimi pa vendim gjyqësor për të ushtruar presion ndaj protestuesve. (Nenet 17, 22, 25, 38, 42, 47)
- Bëjeni policinë të identifikueshme. Efektivët duhet të mbajnë shenja të qarta dhe dokument identifikimi gjatë shërbimit, sipas standardit që u kërkohet qytetarëve. (Nenet 4, 15)
- Ndaloni arrestimet arbitrare. Lironi këdo që është ndaluar vetëm për pjesëmarrje në protesta paqësore. Çdo të ndaluari duhet t’i bëhen të ditura menjëherë arsyet e arrestimit, në një gjuhë që kupton, dhe t’i sigurohet qasje te avokati. Ofroni avokat falas atyre që nuk mund ta paguajnë. (Nenet 27, 28, 31, 42)
- Mbroni të miturit. Hetoni në mënyrë të pavarur pretendimet për dhunë policore ndaj tyre. Mos merrni në pyetje asnjë fëmijë pa praninë e prindit ose kujdestarit, avokatit dhe psikologut, siç kërkojnë ligji shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. (Neni 54)
- Pezulloni legjislacionin e ri për protestat. I miratuar me dekret emergjence më 28 tetor 2026, pa debat parlamentar, legjislacioni vendos kufizime të gjera mbi tubimin, shprehjen dhe lëvizjen, si dhe gjoba të rënda. Mos e zbatoni derisa të shqyrtohet nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, e të debatohet në Parlament. (Nenet 17, 22, 38, 47, 101)
- Ndaloni ndëshkimin pa gjyq. Mos i regjistroni qytetarët si “individë të dhunshëm” dhe mos ua kufizoni qasjen në transport, aeroporte apo hotele pa vendim dënimi nga gjykata. Respektoni për qytetarët të njëjtin prezumim pafajësie që qeveria juaj ka kërkuar për zyrtarët e saj. (Nenet 18, 30, 35, 38, 42)
- Bëjeni publik dokumentacionin. Brenda 30 ditësh, publikoni një raport mbi reagimin e policisë që prej 13 tetorit 2026, në përputhje me udhëzuesin e OKB-së për armët me efekt joletal dhe udhëzimet e OSBE-së e Komisionit të Venecias për lirinë e tubimit paqësor. Raporti të përfshijë urdhrat për përdorimin e forcës, incidentet, armët e municionet, kontrollet, arrestimet, ndalimet, plagosjet dhe masat disiplinore. Ruani të gjitha dokumentet e provat, përfshirë pamjet filmike dhe komunikimet zyrtare, për shqyrtim të pavarur. (Nenet 23, 35)
- Lejoni mbikëqyrjen ndërkombëtare. Jepuni hetuesve ndërkombëtarë qasje të plotë dhe qytetarëve një mënyrë të sigurt për të raportuar abuzimet. Dokumentoni e hetoni çdo ankesë në mënyrë të paanshme dhe mbani përgjegjës zyrtarët e komandantët që urdhëruan, nxitën ose toleruan shkeljet. (Nenet 15, 122)
- Dëmshpërbleni dhe kujdesuni për viktimat. Dëmshpërbleni personat e prekur nga përdorimi i paligjshëm i forcës, ndalimi i paligjshëm ose shkelje të tjera të të drejtave civile. Sigurojuni ndihmë juridike, mjekësore dhe psikologjike falas nga ofrues të pavarur. (Nenet 44, 55)
- Merrni përgjegjësi politike. Jepni dorëheqjen për të rikthyer besimin e publikut dhe lehtësoni një tranzicion paqësor që krijon kushtet për reforma institucionale e zgjedhore, mbrojtje të të drejtave themelore dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Si aleat i NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtar i OKB-së, Shqipëria është zotuar ndaj demokracisë, lirive individuale dhe shtetit të së drejtës. Presim që qeveria juaj të respektojë Kushtetutën dhe të bashkëpunojë plotësisht me SPAK-un, edhe kur hetimet përfshijnë anëtarë të saj.
U bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare të kryejn hetime të pavarura mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe korrupsionin, si dhe të mbrojnë SPAK-un nga ndërhyrjet politike. I nxisim të përdorin mjetet diplomatike për të kërkuar llogaridhënie nga autoritetet Shqiptare. Bashkimit Evropian i kerkojme t’i ngrejë këto çështje edhe në bisedimet e negociatave për antarësimin e Shqipërisë. Ftojmë vëzhgues të të drejtave të njeriut, juristë dhe gazetarë të dokumentojnë zhvillimet në Shqipëri.
Nderojmë guximin e studentëve, arsimtarëve, gazetarëve dhe qytetarëve që kanë dalë në rrugë. Shqiptaro-Amerikanët qëndrojnë me ta dhe do të vazhdojnë t’i ngrenë zërat e tyre pranë qeverive e institucioneve ndërkombëtare derisa të drejtat e tyre të respektohen. I nxisim protestuesit të mbeten paqësorë, të palëkundur dhe vigjilentë.
Kjo krizë kërkon zgjidhje politike, dhe çdo zgjidhje politike kërkon sakrificë. Kjo sakrificë mund të vijë vetëm nga ata që udhëheqin.
Me respekt,
Organizatat Shqiptaro-Amerikane të nënshkruara, më 17 nëntor 2026




